AKTUALITET, 11 Nëntor 2018, 14:09

10 thirrjet për arrestimin e Vangjush Dakos nga PD

10 thirrjet për arrestimin e Vangjush Dakos nga PD

Që nga dita kur në media u publikuan disa përgjime, të Vangjush Dakos me antarë të bandës së Shijakut, Partia Demokratike ka kërkuar 10 herë arrestimin e kryetarit të Bashkisë së Durrësit.

Këtë të diel ishte deputeti Ervin Salianji i cili në një deklaratë për mediat tha se dosja 339 ka faktuar përtej çdo dyshimi se Vangjush Dako, në bashkëpunim me bandën e Avdylajve ka kryer krimin elektoral të blerjes së votave në Qarkun e Durrësit.

“Përgjimet e dosjes 339, një prej të cilave daton në shkurt 2017, provuan se Vangjush Dako ka qenë në komunikim të vazhdueshëm me trafikantët ndërkombëtarë të drogës para, gjatë dhe pas zgjedhjeve, duke i shkëmbyer me pasuri, pushtet dhe favore votat e blera prej tyre për pushtetin ilegjitim të Edi Ramës”, deklaroi Salianji.

Përgjigjet nuk kanë munguar nga ana e kryebashkiakut të Durrësit, i cili etiketon deputetët e PD-së me lloj-lloj epitetesh, shkruan gsh.al. Megjithatë në ditët kur u bë “furtuna në gotë”, Prokuroria në një reagim për mediat tha se hetimet për dosjen 339 vazhdojnë, por nuk konfirmoi nëse pjesë e këtyre hetimeve është dhe kryebashkiaku i Durrësit, një njeri i afërt me kryeministrin Edi Rama.