SPORT, 17 Mars 2020, 14:44

Zyrtare/ Euro 2020 një vit më pas, caktohen datat e reja të Champions dhe kampionateve

Zyrtare/ Euro 2020 një vit më pas, caktohen datat e reja të

Qeveria europiane e futbollit, UEFA, thirri sot në mesditë një video-konferencë përmes internetit me të gjitha federatat anëtare. Ky takim i jashtëzakonshëm zhvillohet në një situatë aspak normale për shumë vende europiane dhe më gjerë, nga përhapja e virusit COVID-19. Krahas shumë fushave të jetës në Europë, tashmë ka ndaluar edhe futbolli.

Presidenti i FSHF njëherazi anëtar i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s Armand Duka, mori pjesë në këtë mbledhje të jashtëzakonshme, dhe mbështeti propozimet e Presidentit të UEFA-s, Aleksander Ceferin.

“Unë uroj që kjo situatë të kalojë sa më shpejt dhe të kthehemi në jetën normale e të shijojmë futbollin. Situata duhet të ndiqet hap pas hapi, dhe të bëjmë më të mirën e mundshme. Mbështes plotësisht propozimet e sotme ,dhe do të bëjmë maksimumin për t’i realizuar ato” tha Presidenti Duka në ndërhyrjen e tij në takim.

UEFA përmes kësaj video-konference, vendosi krijimin e një grupi të posaçëm pune për të rakorduar kalendarët e rinj të eventeve vendosur në këtë takim. Në takim u theksua se UEFA po punon intensivisht për të pasur skenarë në çdo situatë të mundshme që mund të përballet Europa.

Federatat anëtarë pranuan në parim këto propozime të UEFA-s:

Lidhur me ndeshjet kombëtare:

• Shtyrja e EURO 2020 për në muajt qershor-korrik 2021 (11 Qershor- 11 Korrik 2021);

• Ndeshjet ndërkombëtare të marsit shtyhen për në dritaren ndërkombëtare të qershorit 2020;

• Ri-skedulohen ndeshjet e kualifikimeve europiane (që ishin planifikuar për në qershor 2021);

• Do të ndryshojnë datat e kompeticioneve të tjera që ishin planifikuar mes muajve qershor-korrik 2021 si UNL Final4 / EURO U21 / Europiani i femrave;

• Lojtarët do të lejohen nga klubet të marrin pjesë në ndeshjet kombëtare bazuar në ri-skedulimet e reja.

Lidhur me ndeshjet e klubeve:

• Përpjekje maksimnale nga të gjitha garat vendore dhe europiane të klubeve që të mbyllin sezonin më 30 qershor 2020;

• Limitim i hapsirave përgjatë javëve në mënyrë që të mund të përdoren nga ligat kombëtare si dhe UEFA;

• Gjetja e një zgjidhjeje dhe adaptimi të mundshëm për kualifikueset e kompeticioneve të UEFA-s për klubet për sezonin 2020/21 pas përfundimit të ligave dhe sezonit European më 30 qershor të këtij viti.