AKTUALITET, 24 August 2026, 14:34

Zjarret në Shqipëri – 5 vatra mbeten aktive, situata paraqitet e vështirë në malin e Dajtit

Zjarret në Shqipëri – 5 vatra mbeten aktive, situata paraqitet e

Ministria e Mbrojtjes ka nxjerrë një përditësim zyrtar mbi situatën e zjarreve në të gjithë vendin deri në orën 14:00 të datës 24 gusht 2026, duke bërë me dije se gjendja e përgjithshme paraqitet në përmirësim. Nga 18 vatra të raportuara në total, 5 prej tyre mbeten aktive, ndërsa 7 të tjera po mbahen nën mbikëqyrje nga strukturat e emergjencave. 

Për përballimin e situatës janë angazhuar 216 forca operacionale dhe 8 automjete zjarrfikëse, ndërsa Forcat e Armatosura po mbështesin operacionet me 70 efektivë, një automjet zjarrfikës, një ekskavator të rëndë dhe dy helikopterë. Vëmendja kryesore e ndërhyrjes mbetet e përqendruar në Malin e Dajtit, ku po veprojnë 30 efektivë të FA-së, 30 zjarrfikës dhe mbështetja nga ajri me helikopter. Pavarësisht terrenit të vështirë, autoritetet konfirmojnë se nuk ka asnjë rrezik për zonat e banuara.

Në Pukë situata ka shënuar përmirësim të ndjeshëm, ku zjarret në Gjegjan, Gojan të Vogël dhe Gojan të Madh janë shuar plotësisht, ndërsa vatra në Prozhëm është drejt fikjes. Në Qarkun Dibër vijojnë aktive vatrat në Ballenjë dhe Qafën e Helmës (pa rrezik për banesat), ndërsa në Bërshi flakët janë fikur. Në Qarkun Lezhë janë shuar vatrat në Lufaj e Shtuf, ndërsa Kalivaçi dhe zona e Tenës po mbahen nën mbikëqyrje. Po ashtu, monitorim po kryhet në Elbasan e Vlorë, ndërkohë që një vatër e re aktive është shfaqur në malin e Luzatit në Tepelenë, ku po ndërhyjnë shërbimet zjarrfikëse lokale.