AKTUALITET, 4 Nëntor 2017, 15:03

Zhbllokohen doganat, rinis lëvizja në pikat e kalimit kufitar me Greqinë

Zhbllokohen doganat, rinis lëvizja në pikat e kalimit kufitar me

Kalimi në pikën kufitare të Kakavijës u zhbllokua pas mesditës së të shtunës, pasi bllokoi qindra udhëtarë që prej mbrëmjes së të premtes, të cilët u detyruan të kalojnë natën në automjetet e tyre.

Si pasojë e fluksit të krijuar në kufi pas këtij problemi, kalimi iu lejua vetëm personave me leje qëndrimi në Greqi, por prej orës 6 të mëngjesit u bllokuan edhe vet shtetasit grekë.

Pala shqiptare sqaroi se sistemi kompjuterik u bllokua për shkaqe teknike, gjë që ndodhi në të gjitha pikat e kalimit kufitar të Greqisë, përfshirë edhe ato me Maqedoninë dhe Turqinë.

Diçka e tillë u konfirmua edhe nga ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, që shkoi në Kakavijë për të parë situatën. Ai siguroi se ngjarja nuk ishte e qëllimshme, pasi pati një komunikim intensiv me homologun e tij grek, Nikos Kotzias, dhe me ministrin e Brendshëm grek, Nikos Toskas, mbi zgjidhjen e situatës në pikat kufitare me Greqinë.

Për shkak të problematikës me rënien e sistemit në të gjithë Greqinë, mes ministrit Bushati dhe ministrit Toskas u ra dakord që të nisë lëvizja, duke mundësuar skanimin e pasaportave.