AKTUALITET, 10 Nëntor 2019, 15:57

Zgjedhjet në AMA/ Kush do t'i zërë vendin Gentian Salës, a po projektohet Maklen Misha për kontrollin e medias në Shqipëri?

Zgjedhjet në AMA/ Kush do t'i zërë vendin Gentian

Në tetor, Kuvendi i Shqipërisë hapi garën për paraqitjen e kandidaturave për të marrë drejtimin e Kryetarit të Autoritetit të Mediave Audiovizive, si edhe zgjedhjen e dy anëtarëve që iu ka skaduar mandati në bordin e AMA. Kryetarit aktual, Gentian Sala, i përfundoi mandati më 6 nëntor 2019, dhe siç e kërkon ligji në vend të tij Kuvendi duhet të zgjedhë një pasues, i cili nëse qeveria Rama miraton paketën e shumë-përfolur “Anti-Shpifje”, përveç televizioneve dhe gazetave, do të ketë në dorë edhe portalet.

Një nga emrat më të përfolur për të marrë këtë post është Maklen Misha, i cili më herët ka mbajtur edhe postin e Kryetarit të Bordit të Monitorimit të Mediave. Misha, është djali i Pirro Mishës, i cili më herët ka qenë anëtar i AMA-s. Misha është një emër i parapëlqyer për socialistët.

Deri para disa muajsh ai ka qenë pjesë e Bashkisë Tiranë, ndërkohë që tanimë është këshilltar i Jashtëm i Ministres së Mbrojtjes, Olta Xhaçka.

Gara për AMA-n është tejet interesante, në një kohë kur roli i këtij insititucioni sa vjen dhe bëhet më i rëndësishëm. Gentian Salës i përfundoi mandati në fillim të nëntorit pasi ishte zgjedhur në 6 nëntor të 2014. Ndërkohë dy anëtarëve të tjerë të bordit të AMA-s, Pirro Misha dhe Gledis Gjepali i ka përfunduar tashmë mandati që më 9 tetor të këtij viti.

Ashtu si për kryetarin ftohen kandidaturat të shprehin interes edhe ata që duan të bëhen anëtarë të AMA-s. A do të jetë Maklen Misha, pasuesi i Gentian Salës? Mbetet të shohim ‘raundin’ final./Dosja.al/