TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Zëdhënësi i Aleancës, Kushtrim Xhemaili, ka reaguar pas votimit të Tanja Vujoviqit, nga Lista Serbe për nënkryetare të Kuvendit të Kosovës, duke e cilësuar këtë veprim si “kulmin e hipokrizisë dhe populizmit” të pushtetit.
Xhemaili ka thënë se, pas refuzimit të disa emrave në votimet e mëhershme, deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje në fund votuan për Vujoviqin.
“Asgjë, bash hiç asgjë nuk e dallon Tanja Vujoviqin nga Sllavko Simiqi. Që të dy janë nën të njëjtën komandë direkte të Beogradit dhe që të dy kanë mision sabotimin e shtetësisë së Kosovës”, ka deklaruar Xhemaili.
Sipas tij, deklaratat publike të Vujoviqit dëshmojnë qëndrimet e saj ndaj institucioneve të Kosovës.
“Çdokush që kërkon në internet mund t’i gjejë deklaratat skandaloze të Vujoviqit, e cila hapur e quan Kosovën ‘Metohi’, deklaron se punon vetëm për sistemin e Serbisë dhe e krahason situatën në veri me ‘sundimin osman’”, ka shkruar ai.
Xhemaili ka bërë edhe një krahasim mes Vujoviqit dhe Simiqit, duke thënë se dallimi mes tyre qëndron vetëm në mënyrën se si, sipas tij, i kanë kundërshtuar institucionet e Kosovës.
“Dallimi i vetëm është se Simiqi i ka luftuar institucionet tona brenda Kuvendit, ndërsa Vujoviq, si dekane e strukturave ilegale, i ka luftuar ato fuqishëm edhe nga jashtë, publikisht madje”, ka thënë ai.
Zëdhënësi i Aleancës e ka akuzuar Vetëvendosjen se votimi i sotëm dëshmon mungesë të parimeve dhe vijave të kuqe politike.
“Ata i rrëzuan emrat e parë vetëm për t’u shitur ‘patriotizëm’ militantëve në rrjete sociale, përpara se të dorëzoheshin për të votuar saktësisht të njëjtën agjendë të Listës Serbe”, ka deklaruar Xhemaili.
Në fund, ai ka përsëritur qëndrimin e Aleancës se zhvillimet në Kuvend janë pjesë e një “teatri të koordinuar” mes pushtetit dhe Listës Serbe.
“Aleanca e ka thënë qysh herët, ky teatër i koordinuar mes pushtetit dhe Listës Serbe është një maskaradë e pastër që po e mban peng dinjitetin e Republikës!”, ka përfunduar Xhemaili.