AKTUALITET, 24 Gusht 2018, 23:54

Ze Maria: Përmirësimi është i dukshëm, pa merkato ndryshojnë objektivat

Ze Maria: Përmirësimi është i dukshëm, pa merkato

Intervista e trajnerit të Tiranës, Ze Maria, dhënë për emisionin “Gol pas Goli”, pas barazimit pa gola kundër Teutës.

Çfarë ka ndryshuar te Tirana, përveç rezultatit? Sa i kënaqur jeni me këtë ndeshje të dytë?

Jam i kënaqur përgjysmë, pasi cilësia në fushë ishte më e lartë dhe kemi luajtur me topin në tokë, sidomos me Hasanin. Shikoj një rritje të ndjeshme te skuadra, përveç rezultatit, që besoj se do të vijë shumë shpejt.

Goli mungon akoma… 

E kam thënë edhe me mediat, por edhe me shoqërinë, që na mungon ai lojtari që di të dërgojë topin në rrjetë. Lojtarët që kemi në dispozicion, janë shumë të mirë kur hyjnë nga krahët, por jo për të luajtur në qendër dhe për të dërguar topin në rrjetë.

Çfarë ndodh me Dokën? Si e vlerësoni performancën e portierit Abibi?

Dua t’i bëj komplimentet e mia Abibit, pasi ka bërë dy ndeshje mjaft të mira dhe na ka dhënë një dorë në fushë. Po tregon se çdo njeri ka shanset e tij dhe po mundohet t’i shfrytëzojë në maksimum. Sa i përket Dokës, nuk di ç’të them, pasi ndodh shpesh me lojtarët shqiptarë, që të mërziten kur zëvendësohen, por duhet të dijë se nuk është as Messi dhe as Cristiano Ronaldo, ndaj të gjithë duhet të vrapojnë dhe të gjithë do të zëvendësohen. Për fat të mirë, apo për fat të keq, Doka ka një trajner që ka luajtur në të njëjtin rol me të dhe i vëren më mirë sjelljet në fushë.

Mbrojtësit e krahut u panë shumë pak të zbresin në sulm…

Si Doka dhe Hoxhallari, luajtën të vetëm në krah dhe vuajtën në daljet në sulm. Hoxhallari është një lojtar që pëlqen të sulmojë vazhdimisht, ndërsa për Dokën nuk e di çfarë problemi ka, fizik apo psikologjik.

Pa merkato, a ndryshojnë objektivat?

Shoqëria e di se për çfarë kemi nevojë për disa lojtarë, por sidomos në repartin e sulmit. Besoj se do t’i kem deri në fund të merkatos, por nëse nuk vjen asnjë, atëherë do të ulemi të diskutojmë, për të rivendosur objektivat, në bazë të organikës që kemi në dispozicion.