AKTUALITET, 18 Tetor 2018, 21:28

Zbulohet skema: Pronari i varkës së palicensuar në Sarandë, punonjës në port

Emisioni investigativ "BOOM" në Rtv Ora News ka zbuluar skemën sesi varkat e pajisura me leje lundrimi për qëllime turistike familjare, përdoren në mënyrë të jashtëligjshme për biznes, duke ofruar udhëtime me turistë kundrejt pagesës.

E njëjta skemë që ndodh me taksitë e palicensuara, duket se është kopjuar edhe nga pronarët e varkave apo anijeve të peshkimit.

Një aktivitet i tillë shmang jo vetëm detyrimet tatimore, por mbi të gjitha vë në rrezik jetën e turistëve.

Gazetarët e "BOOM" rezervuan një udhëtim turistik kundrejt shumës së 15 mijë lekëve për person me një nga varkat e ankoruara në limanin e portit të peshkimit Sarandë.

Për shkak të peshës së madhe, drejtuesi i mjetit gjatë udhëtimit këshillonte pasagjerët të lëviznin në pika të ndryshme të varkës, në mënyrë që kjo e fundit të ruante ekuilibrin.

Gjatë investigimit, "BOOM" zbuloi një tjetër lidhje, atë të konfliktit të interesit mes personit që ka varkën dhe portit të Sarandës, institucion në të cilin ky i fundit punon.

Për Arben Çipën, kryetar i Shoqatës së Industrisë së Turizmit në Sarandë, ky shfrytëzim është kthyer tashmë në fenomen për Sarandën.

Arben Çipa: Së pari kjo anije duhet të egzistoj e deklaruar në QKB, çdo anije duhet t`i përkas një kompanie e cila disponon një licencë transporti dhe ky duhet të jetë si aset i kompanisë ose imarrë me qira nga kjo kompani.Disa nga dokumentat kryesore janë certifikata që është regjistruar, stafi, kapiteni dhe personi i dytë ose i trete varet nga madhësia e anijes.

Të gjitha këto dokumenta duhen paraqitur në kapitenerinë e Sarandës, duhet padyshim një kopje tek drejtoria e migracionit, që merret me kontrollin e levizjeve të mjeteve motorike në det, ku këto ja përcjell dhe pikës së policisë Sarandë.Aktiviteti kur fillon në rastin konkret që nisen, shoqërohet me dhënien e emrave të pasagjerëve që udhëtojnë.

Të gjitha këto skafe varka apo anije nuk kanë asnjë të drejtë të transportojnë pasagjerë, nëse nuk kanë këto dokumenta. Ata kanë të drejtë të trasportojnë vetëm të marrin pjestarët e famijles së tyre, pra është për qëllime personale.Nëse ndodh një aksident, do shohim se cili do ja delegoj përgjegjësinë kujt. Para se të shkoj te mbytja e turistit, ajo tabelë me atë çmim, me atë telefon ka dhe një pronar.

Pra është zyrtarisht e deklaruar që kryen një aktivitet. Nga momenti që kryen aktivitet është ilegal.Turisti nuk mund të di cili është i licencuar, aktualisht jemi vetëm dy subjekte të licensuara për këtë lloj aktiviteti.