AKTUALITET, 28 Shtator 2021, 11:11

Vritet oficeri i policisë në Lezhë, pjesë e patrullës që kontrollonte kultivimin e kanabisit

Vritet oficeri i policisë në Lezhë, pjesë e patrullës


Një ngjarje e rëndë kriminale ka tronditur vendin ditën e sotme.

Një oficer policie, është vrarë me armë zjarri në Lezhë. Viktimë ka mbetur efektivi Saimir Hoxha, 44 vjeç, në zonën e Ishull Lezhë.

Mësohet se ky oficer, ishte pjesë e patrullës së Policisë që kontrollonin për kultivimin e kanabisit në zonën e Lezhës.

Autori i dyshuar i vrasjes, është 21-vjeçari Aldi Rama.

Efektivi ka marrë një plumb në zemër dhe ka ndërruar jetë rrugës për në spital.

Autori i dyshuar, Aldi Rama, nuk i'u dorëzua policisë dhe në zonën e Ishull Lezhë, pati një ndjekje disa orëshe të tij, deri kur ai u vetëplagos. Ai u transportua me plagë të rënda në urgjencë.

Detaje nga policia:

Rreth orës 10:30, në Ishull Lezhë, në rrethana ende të paqarta është qëlluar me armë zjarri në drejtim të grupit të kontrollit të territorit për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike.

Si pasojë është plagosur me armë zjarri oficeri i Krimeve në Komisariatin e Policisë Lezhë shtetasi S. H., 44 vjeç, i cili për pasojë të plagëve të marra ka ndërruar jetë gjatë rrugës për në spitalin Rajonal Lezhë.

U bë i mundur identifikimi i autorit të dyshuar të vrasjes së oficerit të Policisë në Komisariatin e Policisë Lezhë.

Autori i dyshuar është shtetasi Aldo Rama, 21 vjeç, i dënuar më parë për prodhim dhe shitje të narkotikëve dhe mbajtje pa leje të armëve të ftohta.