AKTUALITET, 22 Prill 2021, 14:30

Vrasja në Elbasan/ Kush qëlloi i pari? Prokurori: Çështjet e hetimit janë sekret

Vrasja në Elbasan/ Kush qëlloi i pari? Prokurori: Çështjet

Prokurori i Elbasanit, Alfred Shehu në një konferencë me Policinë e Shtetit lidhur me ngjarjen e rëndë që ndodhi një ditë më parë në këtë qytet, ku mbeti i vrarë Pjerin Xhuvani dhe u plagosën katër persona të tjerë, tha se dinamika e ngjarjes është e ndërlikuar.

“Çështja është në hetim sapo ka filluar, dinamika e hetimit është shumë e ndërlikuar në rastin konkret”.

Prokurori theksoi se mes sendeve të sekuestruara, janë edhe telefona të personave të përfshirë në këtë ngjarje, ku mund të gjenden detaje që do të hedhin dritë mbi situatën.

“Janë zbatuar urdhrat e ndalimit të prokurorëve, ngjarja ka ndodhur dje, janë sekuestruar shumë prova materiale gjatë kryerjes së hetimeve që do të dërgohen në policinë shkencore, midis të cilave ka edhe telefona ku mund të ketë shumë të dhëna në lidhje me dinamikën e ngjarjes.

Gjithë të ndaluarit janë të dyshuar për kryerjen e veprës penale, është hetimi që do të sqarojë dinamikën e ngjarjes”.

I pyetur nga mediat nëse e ka zbardhur prokuroria se kush nga grupet ka qëlluar i pari në ngjarjen e të mërkurës, prokurori theksoi se detajet e hetimit janë sekret.

“Aktualisht ju informoj se janë nxjerrë dy urdhra ndalimi për vrasje nga palë të ndryshme, çështjet e hetimit për momentin janë sekret”.

Prokurori tha se janë marrë në pyetje edhe efektivët e policisë që ishin prezent në momentin e krimit.

“Të gjithë dëshmitarët e mundshëm që janë shoqëruar midis të cilëve dhe punonjës të policisë së shtetit që kanë qenë në vendngjarje janë marrë në pyetje“, tha ai.