AKTUALITET, 22 Prill 2021, 12:29

E bujshme/ Gjykata e Strasburgut rrëzon SPAK: Të mos preken serverat e Lapsi.al!


Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg, ka vendosur masë sigurie, për të mos lejuar sekuestrimin e serverave dhe të dhënave kompjuterike, të medias online Lapsi.al, deri në momentin kur çështja të gjykohet në themel nga GJEDN.

Pas kërkesës së SPAK për sekuestrimin e Lapsi.al dhe vendimit të gjykatëses Ilirjana Olldashi, avokati Dorian Matlija, me kërkesën e gazetarëve të njohur, Andi Bushatit dhe Armand Shkullakut, e referoi çështjen në mënyrë urgjente në GJEDN.

Në masën e sigurisë thuhet se qeveria shqiptare "nuk duhet të sekuestrojë asnjë pajisje që ruan të dhëna dhe të dhënat kompjuterike/elektonike të cilat u përkasin aplikantëve".

Ndërhyrja e GJEDN është një rast i paprecedent, sepse gjykata ndërhyn vetëm në rastet më ekstreme.

Kujtojmë se media online Lapsi.al, botoi skandalin me përdorimin e të dhënave të qytetetarëve të Tiranës, nga Partia Socialiste. Databaza përmbante të dhëna sensitive, si numrat personalë të identitetit, adresën e banimit dhe shoqërohej me komente, të cilat linin të kuptohej se ishte ngritur një sistem survejimi në funksion të zgjedhjeve, nëpërmjet "patronazhistëve".

Gazetarët kishin refuzuar dorëzimin e databazës, për të mbrojtur burimin e tyre, por SPAK kërkoi sekuestrimin e serverave dhe pajisjeve kompjuterike të kësaj media.

/TPZ.al/

LEXO EDHE:

https://www.tpz.al/2021/04/22/vendimi-i-strasburgut-avokati-matlija-shpjegon-vendimin-e-paprecedent-te-gjykates-europiane-pro-lapsi-al/