SPORT, 21 Maj 2021, 19:54

Vllaznia heroike në “Air Albania”, fiton dhe i heq titullin Partizanit

Vllaznia heroike në “Air Albania”, fiton dhe i heq titullin

Me dorë apo jo? Është një episod që do të mbahet mend gjatë, është episodi vendimtar i një ndeshjeje të madhe ai që ka në qendër Belicën, për arbitrin është penallti. Episodi vendimtar i një fitoreje të madhe të Vllaznisë në kryeqytet, që, falë tij, triumfon 1-0 ndaj Partizanit me golin e Herald Markut. Vlllaznia mbetet në lojë për titullin deri në fund në finalen me Laçin, me kuotë të njëjtë pikësh me Teutën, që e favorizuar në golaverazh luan me Apoloninë, por me siguri sido që të shkojë kuqeblutë e kanë fituar këtu kampionatin e tyre.

Në fushë, respekt i ndërsjellë mes Ilir Dajës dhe Thomas Brdaric. Me 4-3-3 formacioni i Partizanit në tredhëmbëshin Cara-Çinari-Lucas, te Vllaznia në stol Haris Dilaver dhe Demir Imeri, me Da Silvan, Krujën dhe Jonuzin në mbështetje të Avdijajt. Nis kështu një ndeshje e rivalizuar, me Vllazninë që jep sinjalin e parë, në një goditje këndi Imami e çon me kokë sipër traversës. Partizani përgjigjet me një pasim filtrues, që nxjer në zonë Lucas Cardozon, Zogovic devijon goditjen e brazilianit. Bashkatdhetari i tij në kampin tjetër, Viktor Da Silva, i shpëton Muratajt për të lëshuar një gjuajtje që shkon sipër traversës.

Vllaznia luan me personalitet dhe krijon një epërsi edhe pse të lehtë, në të 20-ën Kruja detyron Alban Hoxhën të bëjë një superpritje në goditjen e tij me kokë. Pak më vonë ka një rrëzim në zonë të Avdijajt, loja vazhdon rregullisht dhe edhe përsëritjet e imazheve nuk krijojnë bindjen për një pengim të tijin nga Bardhi në rrëshkitje e sipër.

Shumë më larg kornizave të 11-metërshit një rrëzim pastaj i Çinarit në krahun tjetër të fushës. Shkodrani është i rrezikshëm për skuadrën e qytetit të tij në një goditje prirët grushton Zogovic dhe nuk arrijnë të përfitojnë në kthimin e topit. Alban Hoxha, në krahun tjetër, është një garanci e fortë për Partizanin, në lartësinë e duhur edhe në një veprim të bukur individual të Da Silvës. Kapiteni i kuq bën më pas edhe një tjetër ndërhyrje vendimtare në goditjen në hyrje të zonës nga Jonuzi dhe mbyllet me rrjeta të paprekura një pjesë e pare, me Vllazninë që ka krijuar diçka më shumë.

E dyta është akoma më spektakolare. Nis me një ndërhyrje të gabuar të Brojës, që merr kartonin e verdhë dhe humb ndeshjen e fundit, i irrituar Ilir Daja debaton me Jorgjin, që lexohet qartë se e paralajmëron se do ta nxjerrë përjashta nëse vazhdon. Partizani kërcënon pas një ore lojë me Muratajn, që nuk gjen dot katërkëndëshin. Vllaznia është më e qartë, krijon një aksion model me Imamin, që pason nga e majta, Kruja, në zone, godet, por pret mrekullisht Alban Hoxha. Në ditë të mirë “gardiani” i kuq, që është sërish vendimtar, pak më vonë, teksa i paraprin Avdijajt në një tjetër inkursion të rrezikshëm të shkodranëve.

Të kuqtë përgjigjen me një silurë nga distanca të Hektor Idrizajt, që përfundon jashtë, deri sa në të 72-ën vjen momenti kyç i takimit. Kruja provon me një goditje brenda zonës, arrin ta kthejë në ndërhyrje Idrizaj, sulmuesi i Vllaznisë provon sërish dhe me portierin në tokë, topi ndalet nga Belica. Te Vllaznia pretendojnë menjëherë se ka qenë me dorë, Jorgji nuk është i sigurt, duhen disa sekonda komunikim me asistenit pas porte Bajramaj që më në fund të tregojë pikën e bardhë, penallti për Vllazninë pavarësisht prostestave të kuqe, për një rast të destinuar të diskutohet gjatë. Gjithsesi, në duelin e 11-metrave Herald Marku mashtron Alban Hoxhën për golin më të rëndë të kampionatit.

Vllaznia në avantazh në “Air Albania”, shpërthen festa kuqeblu në fushë stol e madje dhe tribuna, është goli që çon kuqeblutë në krye të klasifikimit. Partizani reagon me një goditje me kokë të Bardhit, sipër traversës, por pavarësisht përpjekjeve në minutat e mbetura, Vllaznia administron me autoritet, duke mos lejuar madje asnjë rrezik serioz, deri në 5 minutat e shtesës falë qartësisë e sakrificës së skuadrës shkodrane. Çinari gabon në shtesë dhe festa është e tëra e Vllaznisë. Teuta është në të njëjtën kuotë pikësh me kuqeblutë, bilancin e kanë të barabartë në përballjet direkte dhe në golaverazhin e përgjithshëm Teuta ka vetëm një gol më shumë. Problemi është se në sfidën e fundit, Vllaznia përballet me Laçin që ka 61 pikë, ndërsa Teuta me Apoloninë, që i ka larë duart me çdo objektiv.