AKTUALITET, 3 Janar 2018, 16:03

Viti i ri erdhi, po ashtu edhe rritja e ujit me gati 50% për banorët e Tiranës

Me nisjen e viti të ri 2018 hyn në zbatim edhe rritja e ujit për kryeqytetin. Kështu, nga janari, të gjithë banorët e Tiranës do të tariforen 65 lekë për çdo m³/ujë që vjen në çezmat e tyre. Kjo rritje ka ardhur si pasojë e një vendimi të marrë disa muaj më parë në një mbledhje të Këshillit Bashkiak Tiranë, vendim i cili rrit çmimin me mbi 40% bashkë me dyfishimin e tarifës fikse mujore.

Me këtë rritje, përveç familjarëve, preken ndjeshëm edhe bizneset, të cilat nga 135 lekë/m³, do të duhet të paguajnë 190 lekë, me përjashtim të furrave të bukës, të cilat do të tariforen 130 lekë/m³ nga 95 lekë/m³ që ishin më parë.

Projektvendimi i bashkisë për rritjen e çmimit të ujit nuk do të prekë disa kategori individësh. Njerëzit në nevojë të rimbursohen për masën e ujit të shpenzuar, duke paguar të njëjtën tarifë si më parë, pra 45 lekë.

Së dyti, familjet që trajtohen me ndihmë ekonomike, si dhe ato që kanë në përbërjen e tyre anëtarë me aftësi të kufizuara. Pjesë e kategorive që nuk preken nga rritja janë kryefamiljarë që përfitojnë pension invaliditeti shtetëror dhe pension invaliditeti të plotë dhe nuk kanë anëtarë të familjes të punësuar apo vetëpunësuar.

Një tjetër kategori e shtuar në listë janë familjet e punonjësve buxhetorë me pagë mujore bruto nën 35 mijë lekë në muaj, kur punonjësi është kryefamiljar dhe nuk ka asnjë anëtar tjetër të punësuar apo vetëpunësuar.

Pjesë e listës që do të vijojnë ta paguajnë ujin me çmimin aktual, pra 45 lekë/ m³ janë të verbrit, personat paraplegjikë dhe tetraplegjikë, gratë kryefamiljare dhe familjet me të ardhura nga pensionet familjare.