AKTUALITET, 3 Qershor 2020, 11:48

EMRI/ Vetëdorëzohet personi që kërcënoi Policinë me armë, efektivët i rrethuan banesën, përforcime dhe nga RENEA

EMRI/ Vetëdorëzohet personi që kërcënoi Policinë


Përfundon paniku dhe situata e tensionuar në Kamzë ku një person ka kërcënuar me armë Policinë pasi refuzoi të shoqërohej në Komisariat.

Drejtori i Policisë së Tiranës Rebani Jaupi dha detaje për mediat ku tha se personi është vetëdorezuar pas negociatave me forcat RENEA.

Mësohet se ka pasur një urdhër ndalimi nga gjykata për këtë person pasi ushtronte dh ūnë ndaj gruas dhe nuk lejonte fëmijët të shkojnë në shkollë.

Kur forcat e policisë kanë tentuar ta shoqërojnë ka refuzuar duke nxjerrë armën automatik e kërcënuar punonjësit e policisë.

Në këtë moment është kërkuar ndihma e repartit RENEA dhe më pas nëpërmjet negociatorit të vënë është bërë i mundur edhe vetëdorëzimi i tij.

Njoftimi nga Policia e Kamzës

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5 kanë shkuar në banesën e shtetasit Ronald Kryemadhi, për ta shoqëruar në Gjykatë, në zbatim të kërkesës së saj, për shoqërim të detyrueshëm të tij.

Në momentin që shërbimet e Policisë kanë hyrë në banesë ky shtetas ka nxjerrë një armë zjarri pistoletë dhe ka kanosur punonjësit e Policisë për vrasje në rast se do afroheshin dhe më pas është mbyllur në banesë.

Menjëherë në ndihmë të Policisë lokale kanë shkuar forcat e DVP Tiranë, FNSH dhe RENEA dhe është bërë rrethimi i banesës, vendosja e perimetrit të sigurisë, evakuimi i banorëve dhe ndalimi i qarkullimit në perimetrin e sigurisë.

Pas negociatave të bëra nga Forcat Speciale RENEA me autorin, për t’u dorëzuar, ku i fundit, pas gjysmë ore, është vetëdorëzuar, në pamundësi për t’u larguar nga banesa.

Personi është shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 5, për veprimeve të mëtejshme.

Grupi hetimor vijon kontrollin në banesë, për gjetjen dhe sekuestrimin e armës së zjarrit.