TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Ish-hetuesi Shyqyri Çoku, të mërkurën, ka ndërruar jetë në moshën 90-vjeçare. Çoku është i njohur për hetimin dhe torturimin e 92 të dënuarve politik në veri të vendit dhe veçanërisht për torturimin e At Zef Pllumit.
Ai rezulton të ketë qënë një prej hetuesve më aktivë të diktaturës në veri të vendit, ndërsa u bë i njohur në opinionin publik pas daljes në dritë të faktit se qeveria shqiptare e dekoroi me “Medaljen e Mirënjohjes”, si veteran të Kategorisë së Parë me rastin e 70-vjetorit të Çlirimit.
Vendimi “i mbrapshtë” i dhënë në 2014 nga Ministria e Mbrojtjes prodhoi një debat politik, në të cilin u përfshinë drejtpërdrejt kryeministri Edi Rama dhe ish-kryeministri Sali Berisha.
I pari, Rama, kërkoi falje në Shkodër, por nuk tha nëse do t’i hiqej dekorata hetuesit dhe torturuesit të At Zef Pllumit, Sami Repishtit e dhjetëra të tjerëve. Për më tepër fajësoi Berishën që si president i kishte dhënë atij statusin e veteranit të Kategorisë së Parë.
Edhe pse kërkoi falje, ai nuk mori asnjë përgjegjësi për aktin.
“Ministria e Mbrojtjes s’ka pasur asnjëherë dhe as këtë herë, as përgjegjësinë për përmbajtjen e asaj liste dhe as detyrimin ligjor për të gërmuar në të kaluarën e personave të përfshirë në kategorinë I të veteranëve të LANÇ-it”, tha Rama.
Në atë kohë, Berisha iu përgjigj pa vonesë. Ai i tha Ramës se nuk e dekoroi Çokun ngaqë u ndikua nga Berisha dhe se ndjesën e kërkoi nga frika për urrejtjen që ka mbjellur në vend.
“Xhelatet nuk i dekorove se te tha Sali Berisha por i dekorove si deshmi e urrejtjes tende ndaj viktimave te babait tend xhelat dhe dajos superxhelat! Ti nuk kerkove kurre ndjese bashkeshortes dhe familjes se poetit Havzi Nela dhe viktimave te tjera qe u ekzekutuan me firmen e babait tend, sepse ty urrejtja aterore ndaj tyre nuk te lejon. Sot ti i kerkove ndjese Prof. Sajmir Repishtit per dekorimin e xhelatit te tij por kete e bere nga urrejtja e madhe qe ke mbjellur ne mbare vendin, qe pe me syte e tu dhe ndjeve ne tere qenien tende ne uraganin e protestes se 8 dhjetorit”, u shpreh Berisha në 2015.