AKTUALITET, 11 Prill 2019, 13:59

Ushtria në aeroport, Rama: Kështu ndodh edhe në Paris, Venecia, Frankfurt dhe Amsterdam

Ushtria në aeroport, Rama: Kështu ndodh edhe në Paris, Venecia,


Kryeministri Edi Rama ka reaguar përmes një fotoje të postuar në llogarinë e tij personale në “Instagram” kundrejt kritikave të shumta ndaj urdhrit të Ministres së Mbrojtjes, Olta Xhaxhka, për vendosjen e forcave të ushtrisë në aeroportin ndërkombëtar të Tiranës, “Nënë Tereza”, pas grabitjes së bujshme të së martës të sasisë së konsiderueshme prej 8 milionë euro.

“Forcat ushtarake në aeroportet e Parisit, Venecias, Frankfurtit dhe Amsterdamit, janë vendosur ashtu si në plot vende të tjera të Europës dhe botës demokratike, si reagim ndaj akteve cënuese për sigurinë e infrastrukturave aeroportuale dhe qytetarëve që i përdorin ato.

Ndërkohë beretat e kuqe të policisë sonë ushtarake janë vendosur thjesht në ruajtje të perimetrit të jashtëm të sigurisë.

Prandaj kush flet për shkelje kushtetute, gjendje lufte, juntë ushtarake e marrëzira të tjera si këto, le të gjejë ndonjë arsye tjetër për të treguar se sa shumë i dhimbsen Kushtetuta dhe standardet demokratike” – ka shkruar Rama, bashkëngjitur një serie fotosh që tregojnë forcat e sigurisë në aeroporteve ndërkombëtare të vendeve evropiane të lartpërmendura në citim.