SPORT, 29 Korrik 2021, 14:24

Ushqimi dhe mungesa e familjes, Sadiku tregon pse çdo gjë shkoi ters në Bolivi: U sëmura

Ushqimi dhe mungesa e familjes, Sadiku tregon pse çdo gjë shkoi ters

Armando Sadiku nuk do të jetë më pjesë e Bolivar.

Sulmuesi shqiptar i ka dhënë fund aventurës dhe po bëhet gati të rikthehet në Europë.

Futbollisti u prezantua në janar si blerje e bujshme, por në fakt rezultoi një dështim.

Sulmuesi 30-vjeçar nuk i bindi tifozët dhe gjatë qëndrimit të tij në tokën boliviane zhvilloi 15 ndeshje duke shënuar vetëm dy gola.

Një episod që ndoshta e largoi atë nga klubi ishte në ndeshjen ndaj Wilsterman kur Sadiku humbi penalltinë. Lojtari ka treguar aventurën me skuadrën e Bolivar dhe arsyeja pse çdo gjë shkoi keq.

“Këtu më ndodhi çdo gjë e keqe. Kështu është, përfundoi gjithçka. U sëmura.

Nuk isha kurrë në 100%”, shpjegoi Sadiku arsyen se pse nuk ia doli që të shprehej në maksimum te Bolivar ku do të kujtohet vetëm për dy golat e tij në kampionat.

Ai ka treguar se mungesa e familjes së tij në La Paz, ia kishte bërë gjithçka më të vështirë dhe ambientimi me lartësinë kishte qenë një problem më vete.

Një sëmundje në stomak pasi nuk u përshtat me ushqimin, ndikoi të gjithë përgatitjet e tij.

“Të them të vërtetën, mua më ndikoi shumë lartësia, nuk u përshtata kurrë këtu.

Më ndodhën të gjitha gjërat më të këqija, u sëmura, nuk dhashë kurrë 100% dhe për këtë më vjen keq. Bolivar është një klub i madh, shpresoj që të shpallen kampionë.

Do ta mbaj gjithmonë në zemër, më vjen keq që nuk mund të jepja gjithçka, por kështu janë gjërat”, theksoi sulmuesi i cili u kërkoi falje edhe tifozëve që nuk kishte mbajtur dot premtimet.