TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
“Nëse do një këshillë nga unë, hiq qafe sa më shpejt Kristiano Ronaldon. Ai jo vetëm nuk lejon rritjen e të rinjve, por në të njëjtën kohë, zbraz edhe arkat”. Ishte kjo këshilla me të cilën Masimiliano Alegri ndahej dy vite më parë me Andrea Anjelin, një prapaskenë e nxjerrë në shesh pasi këtë verë shpërthyen fjalët për një rikthim te Juventusi i “Kontit Maks”, i cili u zyrtarizua shumë shpejt. Dhe pa dyshim që kjo frazë nuk i ka shpëtuar aspak Kristiano Ronaldos, ndonëse ai nuk ka dashur kurrë të replikojë, sepse edhe sikur të mos jetë e vërtetë, por thjesht një trillim mediatik, Alegri e përsëriti në një mënyrë tjetër gjatë prezantimit të bërë ditën e martë:
“Ronaldo është një lojtar madhështor dhe një djalë shumë inteligjent. Numrat e tij flasin qartë, është një lojtar që ka bërë 130 gola me Juven në 3 vite, por pres një ndjenjë më të madhe përgjegjësie prej tij dhe dua të shoh që ta vërë më tepër eksperiencën e madhe që ka në shërbim të skuadrës”.
Shkurt, Ronaldo tani duhet të nisë të mendojë më shumë për skuadrën sesa për rekordet personale, pasi Alegri kërkon që pas 5 titujve të lërë sërish gjurmën e tij në Torino, por duke synuar më fort se kurrë Ligën e Kampioneve, ndonëse rikthimi në fronin italian është detyrim, pasi ia dorëzuan Interit.
Dhe teksa Alegri bëri ftesën e tij, dje mesa duket edhe Ronaldo ka vendosur që t’i përgjigjet me një postim në rrjetet sociale: “Shumë i lumtur që rikthehem në punë për Juventusin. Gati për sezonin e ri, pasi të tjerë trofe na presin”.
Ky mesazh duket një shenjë paqeje mes “Kontit Maks” dhe CR7-ës, i cili sivjet pritet të ketë përkrah një Dibalë më të fortë dhe më të motivuar, por duke u bashkuar edhe pjesën tjetër të lojtarëve ofensivë si Morata, Bernardeski, Kulusevski e Kieza, objektivi është ai i 75 golave vetëm nga reparti sulmues (tjetër citim i Alegrit në konferencë).
Misioni ka nisur teksa i gjithë grupi, me përjashtim të Kiezës, Bernardeskit, Kielinit e Bonuçit, po punon që të ndërtojnë diçka shumë herë më solide sesa sezonin e kaluar, por ajo që përfundoi më shpesh se çdo gjë tjetër dje në fokusin e aparateve fotografike ishin buzëqeshjet e Ronaldos teksa stërvitej përkrah Alegrit, duke treguar se situata mes të dyve është më e qetë dhe janë gati për gjëra të mëdha.
Dhe ndoshta pse jo, në një atmosferë të tillë mund të vijë edhe ai rinovim i shumëpritur që është përfolur në ditët e fundit, për shtyrjen e kontratës me 36- vjeçarin edhe për një tjetër sezon (skadenca 2023), me një pagë prej 20 milionë eurosh neto në vit.