SPORT, 28 Korrik 2021, 16:31

“Tokyo 2020”: Shkëlqen kinezi Zhiyong Shi, rekord olimpik në shkëputje


Në kategorinë e peshës deri 73 kg., peshëngritësi kinez, Zhiyong Shi ka befasuar me paraqitjen e tij në pedanën e “Tokyo Internation Forum”. Ai vendosi një rekord olimpik në stilin shkëputje, duke ngritur 166 kg.

27-vjeçari kinez, 168 cm. i gjatë, bënte diferencë me konkurrentët e tjerë në këtë garë, ai ngjante me një ‘vinç’, që vetëm ngrinte pesha me lehtësi. Në stilin e shkëputjes, ai e nisi garën i fundit, duke ngritur fillimisht 158 kg., më pas ngriti 163 kg., për të vendosur një rekord olimpik në provën e tretë me 169 kg, i cili është njëherësh edhe rekord botëror.

Edhe në stilin e shtytjes, paraqitja e Zhiyong Shi ishte mahnitëse, paçka se nuk shkoi sipas llogarive të tij. Në provën e parë ngriti 188 kg., në të dytën 192 kg, provë të cilën gjyqtaria e konsideroi të pavlefshme.

Dhe si për ‘inat’ të gjyqtarisë, në provën e tretë dhe të fundit ngriti me lehtësi 198 kg. të mjaftueshme për të siguruar medaljen e artë me 354 kg. në dygarësh, në peshën deri 73 kg. në garat e peshëngritjes, të vlefshme për Lojërat Olimpike “Tokyo 2020”.

Në këtë kategori peshe, konkurroi edhe peshëngritësi shqiptar Briken Calja, i cili bëri një paraqitje mjaft dinjitoze, duke ngritur 341 kg në dygarësh dhe humbi medaljen e bronzit me vetëm 1 kg. më pak se peshëngritësi indonezian, që u rendit në vendin e tretë.