TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

55 federatat anëtare të UEFA-s kanë votuar për bojkotimin e kompeticioneve të FIFA-s, përfshirë Kupën e Botës për meshkuj dhe femra, nëse institucioni qeverisës i futbollit botëror vijon me planin për t’u shitur aksione investitorëve privatë.
Vendimi u mor në një mbledhje urgjente të thirrur nga UEFA pas propozimeve të prezantuara të martën nga FIFA për krijimin e një strukture të re tregtare që do të menaxhojë kompeticionet kryesore të saj. UEFA ka shprehur prej ditësh kundërshtimin e saj ndaj këtij plani, ndërsa në takimin e fundit të 55 federatave europiane qëndrimi u konfirmua unanimisht.
Në një deklaratë pas mbledhjes, UEFA bëri të ditur se ajo dhe federatat anëtare “qëndrojnë të bashkuara” kundër propozimit të FIFA-s.
“Ne e refuzojmë në mënyrë unanime dhe të pakushtëzuar propozimin e FIFA-s për të transferuar pjesë të pronësisë së Kupës së Botës dhe kompeticioneve të tjera te investitorët privatë”, thuhet në deklaratën e UEFA-s.
Sipas UEFA-s, Kupa e Botës nuk duhet të trajtohet si një produkt investimi. “Botërori është një nga trashëgimitë më të mëdha sportive të futbollit. Ai është ndërtuar ndër breza nga lojtarët, kombëtaret dhe tifozët në çdo kontinent. Asnjë pjesë e tij nuk duhet t’u dorëzohet investitorëve privatë. Kupa e Botës nuk është në shitje”, deklaroi UEFA.
Plani i presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, parashikon krijimin e një kompanie tregtare që do të menaxhojë aktivitetet kryesore të organizatës, përfshirë Kupën e Botës, ku investitorët e jashtëm do të mund të blejnë pjesë të aksioneve.
Infantino u ka dërguar një letër 211 federatave anëtare të FIFA-s, duke u premtuar 40 milionë dollarë nëse mbështesin planin e tij. Federatat që do të pranonin propozimin deri më 19 shtator do të përfitonin një pagesë fillestare prej 20 milionë dollarësh.
UEFA ka akuzuar FIFA-n se po përdor futbollin “për të pasuruar veten dhe miqtë e saj”, duke e thelluar përplasjen mes dy institucioneve më të fuqishme të futbollit botëror.
Nëse plani i FIFA-s miratohet nga federatat anëtare, qëndrimi i UEFA-s mund të vihet në provë që në tetor, gjatë fazës së play-off-it të Botërorit të femrave.