AKTUALITET, 13 August 2026, 15:45

Turistë nga Brazili dhe Argjentina dashurohen me Vlorën, mendojnë edhe të punojnë

Turistë nga Brazili dhe Argjentina dashurohen me Vlorën, mendojnë

Vlora, përveç Evropës, po tërheq vëmendjen gjithnjë e më shumë edhe të të rinjve apo turistëve nga kontinente të largëta.

Nuk është më e çuditshme që të gjesh në rrugët e qytetit, veçanërisht pranë bregdetit, të rinj që vijnë nga Brazili apo Argjentina e largët. Kush prej të njohurve të tyre, të tjerë nga interneti i bashkon ajo që gjejnë në Vlorë dhe që e pëlqejnë shumë. Madje, disa mendojnë edhe të punojnë.

“Unë vij nga Argjentina. Jam për herën e parë në Vlorë, për herën e parë në Shqipëri. Kemi zgjedhur Vlorën për shkak të kësaj pamjeje magjike dhe, sigurisht, të njerëzve. Më pëlqen shumë. Është vetëm dita ime e dytë, por deri më tani është shumë mirë. Po mendojmë të qëndrojmë për dy muaj në Vlorë, të punojmë këtu. Sigurisht që këtë destinacion do ta sugjeroj tek miqtë e mi”, thotë një turist.

“Vij nga Argjentina, nga kryeqyteti Buenos Aires. Jam për herën e parë në Shqipëri dhe në Vlorë. Qyteti duket shumë mirë, ka një pamje vërtet magjike. Njerëzit këtu janë shumë të sjellshëm dhe për këtë jam vërtet i lumtur. Shëtitorja duket e mrekullueshme dhe ne do të ecim drejt detit, duke shijuar gjithçka”, thotë një tjetër. 

“Unë jam nga Brazili dhe ky është miku im, i cili është gjithashtu nga Brazili. E duam Vlorën. Këtu është shumë nxehtë. Shumë nxehtë, por shumë bukur gjithashtu. Unë erdha të qëndroja 10 ditë, por do të rri këtu edhe një muaj tjetër. Më shumë na pëlqen deti, vajzat, ushqimi, mjedisi, por edhe atmosfera që është këtu. Do ta sugjeroj me shumë mundësi Vlorën. Hajdeni në Shqipëri, në Vlorë. Shkoni në Himarë, Dhërmi, Sarandë. Vetëm hajdeni!”, shprehet një brazilian.

Përgjatë këtij sezoni, në Vlorë mund të gjesh turistë që vijnë edhe nga Australia, duke shtuar hartën e turistëve të huaj që po shijojnë dhe ajo që është më e rëndësishmja, që po pëlqejnë dhe vlerësojnë Vlorën.