AKTUALITET, 13 August 2026, 13:55

Zjarret/ Kruja s’gjen qetësi, flakët 400 metra nga banesat në Abaze! Zjarrfikësit nuk heqin dorë: Këtu, derisa të shuhet vatra e fundit

Tymi ngrihet mbi Krujë, ndërsa flakët gjenden 400 metra larg banesave të lagjes Abaze.

Pas 5 ditësh luftë, aty ku dukej se flakët ishin shuar, prushi nën tokë i ka rikthyer sërish.

“Gjendja duket e qetë aktualisht, por këto 5 ditë na kanë treguar se tani mund të jesh i qetë dhe më vonë mund të dalë jashtë kontrollit. Po punohet në terren për të neutralizuar të gjitha vatrat. Falë forcave zjarrfikëse, emergjencave dhe komandës, zjarri është mbajtur në kontroll”, thotë nënkryetarja e bashkisë, Yllka Sheta.

Media ndjek nga afër operacionin e zjarrfikësve. Janë heronjtë e heshtur të qytetit që nuk pushojnë prej 5 ditësh edhe pse disa prej tyre janë sëmurë.

Eduart Tupi ka dëmtuar këmbët por sërish gjendet në vijë të parë.

“Kam një javë pa gjumë dhe as këpucët nuk kam heq që prej disa ditësh. Puna jonë kështu e ka. Edhe kolegët e tjerë kanë dëmtime në këmbë”, shprehet zjarrfikësi duke treguar këmbët.
Pranë tij është kushëriri, Ali Tupi, i cili është sëmurë dhe merr mjekim për mushkëritë. Na tregon grafinë dhe thotë se s’ka pushuar asnjë ditë.

“Jam i lodhur.”

-Vetëm i lodhur apo edhe i sëmurë?

“Të dyja bashkë.”

-Jeni vizituar?

“Po, kam bërë grafi.”

-Me gjithë këtë gjendje, çfarë ju shtyn të vazhdoni?

“Duhet të vish në punë. Do ta bëjmë me zemër e njerëzillëk.”
Në terren, komandanti i zjarrfikësve, Altin Shullazi, i cili përpiqet t’u japë kurajo kolegëve, pasi qyteti duhet mbrojtur me çdo kusht.

-Prej sa kohësh je këtu?

Altin Shullazi: 5 ditë e 5 net. Merremi e zjarrin në Krujë, nuk do të ndalojmë derisa të shuhet. Jemi të gjithë në punë.

-Jeni lodhur e sfilitur, çfarë ju bën të keni moral kaq të lartë?

Altin Shullazi: Na dhimbset ky qytet. Jemi lindur e rritur në këtë qytet, nuk duam të shkatërrohet.

-Kemi informacion që disa prej jush janë me temperaturë, brinjë të thyera e antibiotikë.

Altin Shullazi: Pjesa më e madhe janë me temperaturë 39-40, janë këtu. Nuk do të dorëzohemi deri në fund, derisa ta mbyllim edhe vatrën e fundit të zjarrit.

Banorët janë falenderues për zjarrfikësit dhe policinë.

“Jemi shumë keq. Falënderojmë zjarrfikësit dhe punonjësit e policisë. Nuk kanë të paguar. Na kanë marrë dhe na kanë nxjerrë nga shtëpia, pasi situata ka qenë shumë keq”, thotë Haxhi Neziri.
Kruja vijon të digjet prej 8 gushtit. Pëpos lagjes Abaze ka dhe vatra të tjera, por pa rrezik për banesat. Mendohet se zjarret janë të qëllimshme, por s’ka autorë. Një 70-vjeçar që u arrestua para disa ditësh, u lirua më pas nga prokuroria.