LIFESTYLE, 3 Qershor 2018, 10:18

Turi njofton largimin nga V+: Është e pamundur të ikësh pa inate!

Lajmi se moderatori i disa viteve tashmë në Vizion Plus, Turjan Hyska do të largohej u përhap shpejt në mediat sociale.

Në fillim ai i mohoi këto zëra së bashku me trupën e Apartamentit 2XL, të cilët deklaruan se do të lëviznin bashkë me të.

Burime pranë televizionit konfirmuan se largimi tashëm ishte vendosur.

Moderatori e konfirmoi vetë largimin me anë të një statusi falenderues për të gjithë stafin e televizionit dhe personat me të cilët ai ka punuar për gjithë këto vite, duke ia lënë radhën kështu një aventure të re në Klan +.

Statusi i Turit në facebook

Pas 14 vitesh dhe më shumë se 13 programe të realizuara, sezoni i ri televiziv nuk do të më gjejë më në Vizion Plus! Një vendim i vështirë, por i pakthyeshëm, i ardhur natyrshëm pas një eksperience që mund ta quaj fantastike në tërësinë e saj! Në Shqipëri thonë që është pothuajse e pamundur të shkëputesh pa mëri apo inate! Epo ky është një ndër ato rastet që ndodh!

Së pari, dua të falenderoj Genc Dulakun, i cili më dha mundësinë të provoj çdo rol në atë kompani, nga drejtues programesh me fëmijë deri tek të qënurit drejtor ekzekutiv në Vizion Plus.

Une u rrita ne familjen “Vizion Plus” duke punuar, duke gabuar, mësuar, dështuar apo duke shijuar suksese! Duke marrë vet vendime të drejta apo të gabuara. Dhe kjo eshte fantastike!"- shkruan Turi.

"Termi "familje" shpesh duket klishe, por nuk gjej fjalë tjetër për grupin e Vizionit, pasi të qënurit familje ka qënë forca më e madhe e atij institucioni dhe uroj me shpirt mos ta humbasë kurrë këtë tipar dallues!

Dua të falenderoj pa përjashtim të gjithë njerëzit (edhe ata që s’më duan hiç) me të cilët u rrita në atë kompani, sepse të gjithë kanë punuar dhe ndihmuar për të ndërtuar "Turin e Vizionit". Kam marrë shumë nga të gjithë dhe uroj që t’i kem dhënë po aq shumë!"

Rrjedhimisht mbas më shumë se 8 vitesh më duhet të largohem edhe nga Tring! Një kompani që nisi me një grusht njerëzish ëndërrimtarë, të “çmendur”, që nuk dëgjuan për asnjë sekondë ata që u thoshin se ajo kompani nuk kishte të ardhme! Tring, është rasti tipik ku pasioni, dëshira dhe puna 24/7 sjell sukses dhe unë jam krenar që kam vendosur tullën time modeste në atë sipërmarrje tashmë të konsoliduar, e cila vetëm zgjerohet në tregun televiziv! Të gjithë stafin e kam xhan dhe ata e dinë.

Embëlsira për në fund!

Publik i dashur që më keni parë çerr në ekran dhe tashmë plot 33 vjeç, kam vetëm një mesazh: "Taksirat do më duroni dhe ca! Do bëni, çdo bëni, kemi netë të gjata përpara!"

Mos harroni, fantazia është pasuria më e madhe që kemi. Ju dua, Turjan Hysko.