BOTA, 14 July 2026, 19:54

“Ata nuk të duan atje, duhet të tërhiqesh” - Trump i kërkon Netanyahut largimin e trupave izraelite nga Siria dhe Libani

trump netanyahu

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i ka kërkuar kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu të nisë tërheqjen e forcave izraelite nga Siria dhe të ndërmarrë hapa të ngjashëm në Libanin jugor.

Sipas një raportimi të Axios, që citon zyrtarë amerikanë dhe izraelitë, kërkesa është bërë gjatë një bisede telefonike mes dy liderëve të enjten. Trump mësohet t’i ketë thënë Netanyahut se prania ushtarake izraelite në Siri po rrit tensionet dhe mund të çojë në një përshkallëzim më të gjerë të konfliktit.

“Ata nuk të duan atje. Duhet të tërhiqesh”, mësohet t’i ketë thënë presidenti amerikan, duke theksuar se i njëjti qëndrim vlen edhe për Libanin.

Kërkesa e Trump vjen në një periudhë të ndjeshme për Netanyahun, ndërsa Izraeli po përballet me zhvillime të rëndësishme politike. Megjithatë, sipas zyrtarëve të cituar nga Axios, nuk pritet që kryeministri izraelit të ndërmarrë tërheqje të mëdha përtej angazhimeve të marra deri tani.

Gjatë bisedës, Netanyahu ngriti çështjen e krijimit të zonave të sigurisë përgjatë kufijve të Izraelit, ndërsa qeveria izraelite vijon të argumentojë se prania ushtarake në Siri dhe Libanin jugor është e nevojshme për të parandaluar sulme të mundshme.

Telefonata mes dy liderëve u zhvillua një ditë pasi Trump u takua me presidentin sirian Ahmed al-Sarrah gjatë Samitit të NATO-s në Turqi.

Administrata amerikane ka tentuar prej muajsh të ndërmjetësojë një marrëveshje të re sigurie mes Izraelit dhe Sirisë, por negociatat janë penguar nga refuzimi i Izraelit për t’u tërhequr nga disa territore siriane të kontrolluara pas rënies së regjimit të Bashar al-Assad.

Ndërkohë, në Libanin jugor vijojnë përpjekjet diplomatike për zbatimin e një marrëveshjeje që parashikon tërheqjen graduale të forcave izraelite dhe vendosjen e ushtrisë libaneze në zonat përkatëse.

Shtëpia e Bardhë nuk ka komentuar zyrtarisht për përmbajtjen e telefonatës, por nuk ka mohuar raportimet. Një zyrtar amerikan tha se marrëdhëniet mes Trump dhe Netanyahut mbeten të forta dhe se Izraeli vazhdon të jetë një aleat strategjik i SHBA-së.