AKTUALITET, 3 Shkurt 2019, 20:24

Triumfon Siti, super Aguero gjunjëzon Arsenalin

Triumfon Siti, super Aguero gjunjëzon Arsenalin

Serxhio Aguero i është afruar rekordit historik të Alan Shirer me tregolëshin e tij të 10-të në Premier Ligën angleze. Vetëm ish-sulmuesi i Njukasëll ka shënuar më shumë, 11 të tillë dhe argjentinasi i Sitit duket në rrugën e duhur për ta arritur shumë shpejt, sidomos nëse vazhdon paraqitjet si ajo e sotmja ndaj Arsenalit.

Pikërisht, duke tundur tri herë rrjetën ai i dha mundësinë skuadrës së tij që të mundte 3-1 londinezët për të vënë nën trysni Liverpulin e vendit të parë dhe për t’i dhënë përgjigje të gjithë atyre që kishin filluar të dyshonin në aftësitë e skuadrës së Guardiolës për të përsëritur veten.

Sulmuesi gjeti golin e parë pas vetëm 48 sekondash lojë, ndërsa dyfishoi shifrat pak para mbylljes së fraksionit të parë të lojës, me Arsenalin që kishte barazuar përkohësisht me Koshielnin në minutën e 11. Goli i tretë i realizuar anë minutën e 61 vulosi gjithçka, edhe pse erdhi mes polemikash pas një prekje të paqëllimshme të topit me dorë.

Më pas, skuadra e Guardiolës administroi rezultatin duke iu afruar disa herë edhe golit të katërt. Por gjithsesi shifrat 3-1 i mjaftuan për të ngushtuar në dy pikë diferencën ndaj Liverpulit të vendit të parë, ndërsa lënë Arsenalin në vendin e 6-të dhe jashtë zonës së Europës.