SPORT, 9 Prill 2021, 22:42

Tri ndeshje për të arritur objektivin, Milan luan sezonin në 11 ditë

Tri ndeshje për të arritur objektivin, Milan luan sezonin në 11

Pasi kryesoi kampionatin për muaj të tërë, Milani u dorëzua dhe i hapi rrugë Interit, që ka ikur tashmë 11 pikë para dhe objektivi i vetëm i kuqezinjve ka mbetur të ruajnë një vend në 4-shen e parë të renditjes, për të luajtur në edicionin e ardhshëm të Ligës së Kampionëve.

Tre ndeshjet e ardhshme të milanezëve, të planifikuara për t’u luajtur më 10, 17 dhe 21 prill, pritet të jenë vendimtare për objektivin e tyre, pasi bëhet fjalë për tre të lehta në letër, konkretisht ndaj Parmës në transfertë dhe ndaj Genoas e Sassuolos në shtëpi.

Në këto tre javë, rivalët e kuqezinjve për një vend në zonën Champions do të kenë ndeshje direkte mjaft të rëndësishme, ndaj të besuarit e Piolit duhet të marrin pikët e plota, për t’u shkëputur dhe për të blinduar pozitat.

Kjo pasi në javën e 31-të do të luhen sfidat Atalanta-Juventus dhe Napoli-Inter, ndërsa një javë më vonë Roma-Atalanta dhe Napoli-Lazio, ndeshje këto ku Milani pret që rivalët direkt të lënë pikë dhe të mbeten mbrapa.

Malorja për kuqezinjtë fillon pikërisht në javën e 33-të me transfertën kryeqytetase ndaj Lazios dhe më pas deri në fund të sezonit, do t’u duhet të luajnë jashtë “San Siro”-s edhe përballë Juventusit, Torinos e Atalantës në ndeshjen e fundit të sezonit.

Marrja e pikëve maksimale në transferta të tilla është thuajse e pamundur, ndaj kuqezinjtë do të provojnë që në tri ndeshjet e radhës të vendosin një distancë sigurie me rivalët e drejtpërdrejtë për një vend në zonën Champions.

Lënia e pikëve në tre javët e ardhshme mund të rezultojë fatale për kuqezinjtë, duke qenë se rivalë si Napoli e Atalanta kanë një kalendar dukshëm më të lehtë në 5 ndeshjet e fundit të kampionatit.