AKTUALITET, 14 Dhjetor 2018, 10:46

Tre herë ‘mat’; rastet kur kryeministri u kap ‘gafil’ në emisionin ‘Opinion’

Tre herë ‘mat’; rastet kur kryeministri u kap

Mbrëmjen e së enjtes kryeministri Edi Rama ishte përballë një paneli gazetarësh sa i takon protestës dhe kërkesave të studentëve. Përgjatë emisionit, më shumë se dy orë, janë të paktën tre rastet kur gazetarët kapën ‘mat’ kryeministrin në deklaratat e bëra nga ky i fundit.

Tërheqja

I pyetur se çfarë ndryshoi në qëndrimin e tij ku fillimisht i cilësoi studentët si ngelësh, Rama u përgjigj duke mohuar deklaratën. “Kam bërë një koment, jo deklaratë, dhe kam folur për tarifën e mbetësave nuk i kam quajtur mbetës protestuesit”, u shpreh Rama. Por në emision u bë publike komenti i plotë i bërë nga Rama në rrjetin social.

Procedimet

Kreu i qeverisë e cilësoi si të pavërtetë lajmin e publikuar në media se policia kishte nisur procedimin për 25 protestues të cilët ishin pjesë e protestave të studentëve. Por një gjë e tillë nuk është pranuar nga gazetarët e pranishëm në studio. Rama nuk u tërhoq nga qëndrimi i tij, por gazetarët Robert Rakipllari dhe Blendi Fevziu i lexuan kryeministrit deklaratën zyrtare të shpërndarë nga policia për media së bashku me emrat e atyre që policia i rendiste tek të proceduarit.

Zgjedhjet në Universitet

Gjatë emisionit, kryeministri Edi Rama u shpreh se qeveria nuk ndërhyri në zgjedhjet në Universitet. “S’kemi ndërhyrë as për zgjedhjet, s’kemi ndërhyrë janë bërë zgjedhjet e para në universitet ku s’ka pas ndërhyrje”, u shpreh Rama. Në lidhje me këtë deklaratë të kreut të qeverisë replikoi gazetari Blendi Fevziu i cili i kujtoi se për zgjedhjet në Universitet u arrestua Shullazi. “Për zgjedhjet në universitet u arrestua Shullazi. Harrove zoti Rama? për një militante të Partisë Socialiste ka ndërhyrë që ishte kandidate për rektore, anëtare e organizatave socialiste”, ju përgjigj Fevziu, Ramës./Politiko.al