SPORT, 16 Tetor 2020, 10:55

Trajneri: Shqipëria kishte frikë ndaj Kazakistanit

Trajneri: Shqipëria kishte frikë ndaj Kazakistanit


Trajneri Mirel Josa ka folur për dy ndeshjet e fundit të kombëtares duke theksuar se kuqezinjtë nuk kanë organikën e duhur për të luajtur me skemën 3-5-2.

I ftuar në emisionin Pressing, Josa theksoi se Shqipëria pati përmirësim nga ndeshja e Kazakistanit te ajo me Lituaninë, edhe sepse në ndeshjen e parë kishte frikën mos humbte.

“Po flasim për dy ndeshjet e fundit, pashë përmirësim të strategjisë nga ndeshja e Kazakistanit me atë ndaj Lituanisë. Ekipi presoi shumë më lart ndaj Lituanisë, kishte edhe individualitete. Broja kishte cilësi të tjera me Kazakistanin, por ishte më i dobët në lojë me Lituaninë. Mendoj se dy sulmuesit janë pika kryesore ku duhet të organizohet dhe përqendrohet loja e kombëtares.

Ishim superiore në kontrollin e topit, sidomos në ndeshjen e dytë. Rastet na dolën, gjynah që nuk finalizuam. Ndaj Kazakistanit pati njëfarë frike, nuk presoi e gjithë skuadra, por pati përmirësim te ndeshja e dytë.

Skema 3-5-2? Bulku tha që me këta lojtarë që kemi, mund të luajmë vetëm në këtë mënyrë. Nuk besoj se është kështu, sepse ka ardhur një trajner me eksperience te Shqipëria, i cili ka luajtur gjithmonë me këtë skemë tek ekipet që ka drejtuar.

Mua nuk më pëlqen personalisht kjo skemë, sepse nuk i kemi lojtarët e tillë. Dy krahët nuk i kemi kaq të mirë.

Edhe Conte luan kështu, por ka dy lojtarë të fuqishëm përpara. Lukaku dhe Martinez e nxjerrin skuadrën përpara.

Hysaj nuk ishte, ai mund ta bëjë shumë mirë krahun e djathtë në 3-5-2. Veseli është një qendërmbrojtës puro.

Në fitoren ndaj Bjellorusisë, Bare avancoi dhe shënoi pas pasimit të Roshit. Me Kazakistanin, kishim një alternim të mirë të Abrashit me Trashin, kjo nuk ndodhi me Veselin dhe Baren.

Dy ndeshjet e fundit kishin progres të madh nga ana e strategjisë. Presuam shumë lart, ishim më të organizuar. Në Kazakistan kishim pak frikë, nuk donim të humbnim”, u shpreh Josa.