AKTUALITET, 8 September 2026, 10:59

Banorët kërkojnë pagesat për tokat, protestë para Bankers Petroleum: Nëse nuk na dëgjojnë do të bllokojmë puset e naftës!

Banorët e zonës naftëmbajtëse Patos-Marinzë nuk kanë arritur marrëveshje me përfaqësuesit e kompanisë Bankers Petroleum, pas takimit të zhvilluar këtë të martë lidhur me pagesat për tokat e dhëna me qira.

Pas takimit, banorët deklaruan se nuk janë dakord me kushtet e propozuara nga kompania dhe u shprehën të vendosur për të vijuar protestën. Ata paralajmërojnë përshkallëzim të protestës, deri në bllokimin e një sektori të aktivitetit të kompanisë.

Banorët deklarojnë gjithashtu se nuk do të lejojnë punëtorët e Bankers Petroleum të hyjnë në tokat që ata i kanë dhënë me qira, derisa të gjendet një zgjidhje dhe të respektohen kushtet e kontratave.

Dhjetëra banorë u mblodhën mëngjesin e sotëm para zyrave të kompanisë në Marinëz, duke kërkuar për të disatën herë respektimin e kontratave dhe kryerjen e pagesave për tokat e tyre.

Sipas banorëve, këto toka përbëjnë një nga burimet e vetme të të ardhurave për familjet e zonës. Ata pretendojnë se prej kohësh kompania nuk po respekton detyrimet e përcaktuara në kontratat e lidhura me pronarët e tokave.

Banorët thonë se kanë protestuar disa herë dhe kanë zhvilluar takime me drejtues të kompanisë, përfshirë edhe CEO-n, por deri tani nuk kanë marrë një zgjidhje për kërkesat e tyre.

Nga ana tjetër, kompania ka pretenduar se AKBN nuk njeh disa prej shpenzimeve që lidhen me tokat, ndërsa banorëve u është kërkuar edhe ndryshimi i kontratave dhe i çmimit të qirasë së tokës.

Protesta lidhet me tokat e marra me qira nga kompania në disa fshatra të zonës, mes tyre Sheqishtë, Marinëz, Belinë, Zharrëz dhe Kallm.

Pas dështimit të takimit, situata mbetet e tensionuar, ndërsa banorët paralajmërojnë masa më të forta nëse nuk arrihet një marrëveshje me kompaninë.