BOTA, 3 September 2026, 16:06

Tragjedi në Ishujt Kanarie, 83 emigrantë raportohen të vdekur ose të zhdukur pas mbytjes së varkës

Një tjetër tragjedi është regjistruar në rrugën e migrimit drejt Ishujve Kanarie, ku 83 persona rezultojnë të vdekur ose të zhdukur pas një udhëtimi të rrezikshëm në det.

Sipas autoriteteve të shpëtimit dhe organizatës joqeveritare Caminando Fronteras, një varkë e vogël me 128 emigrantë në bord ishte nisur 27 ditë më parë nga Afrika e Veriut.

Anija u lokalizua në mbrëmjen e 2 shtatorit, rreth 120 kilometra në juglindje të Gran Canarias. Një patrullë detare mbërriti pranë saj pas orës 23:00 dhe arriti të shpëtojë 44 persona, të gjithë burra me origjinë nga Afrika Subsahariane, shkruajnë mediat.

Në bord u gjetën edhe pesë trupa, ndërsa kushtet e vështira të detit penguan nxjerrjen e tyre. Erërat e forta dhe dallgët deri në 2.5 metra e vështirësuan operacionin e shpëtimit.

Tre nga të mbijetuarit, të cilët ndodheshin në gjendje të rëndë shëndetësore, u transportuan me helikopter drejt Spitalit Universitar Doctor Negrín në Gran Canaria. Pjesa tjetër e të shpëtuarve u dërgua në portin e Arguineguín, ku morën ndihmë mjekësore nga ekipet shëndetësore dhe vullnetarët e Kryqit të Kuq.

Sipas Caminando Fronteras, në mesin e personave që ndodheshin në varkë ishin edhe katër gra dhe një foshnjë e porsalindur.

Autoritetet spanjolle po vijojnë verifikimet për identifikimin e viktimave dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes, e cila vjen në një periudhë të rritjes së presionit emigrator drejt Ishujve Kanarie.

Top Channel