AKTUALITET, 9 Shkurt 2019, 23:19

Thaçi thirret nga Gjykata Speciale? Ja si përgjigjet presidenti

Thaçi thirret nga Gjykata Speciale? Ja si përgjigjet presidenti

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka reaguar ndaj artikullit të medias serbe “Novosti”, e cila raportonte se Hashim Thaçi është thirrur nga Dhoma e Specializuar apo siç njihet ndryshe si Gjykata Speciale.

Përmës një statusi në rrjetin social “Facebook”, presidenti Thaçi ka hedhur poshtë raportin e saj, ndërsa thekson se ky informacion është i pavërtetë dhe ka në vetëvete qëllime dashakeqëse.

Ai shton se nëse thirrja do të ishte e vërtetë do të shkonte njëllojë siç kanë bërë bashkëluftëtarët e tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Artikulli i gazetës serbe “Novosti”, ku përmendet edhe emri im si kinse i ftuar nga Dhomat e Specializuara, është i pavërtetë dhe shpifje qëllimkeqe. Nëse do të ftohesha, pa asnjë hezitim do t’i përgjigjesha ftesës, në çdo moment, si të gjithë bashkëluftëtarët tjerë. Lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë, e dinjitetshme dhe projekti më madhor politik e ushtarak në historinë e kombit shqiptar. Krenohem me UÇK-në. HTH”, ka shkruar Thaçi.