AKTUALITET, 19 Dhjetor 2019, 20:01

Tërmeti/ Nuk dëgjojnë këshillat, shqiptarët rrëzojnë sërish aplikacionin

Tërmeti/ Nuk dëgjojnë këshillat, shqiptarët

Një meme para disa ditësh tregonte se aplikacioni më i preferuar i shqiptarëve për momentin është "Last Quake", i cili monitoron çdo tërmet kudo që ndodh në botë.

Tashmë është fakt se dhjetëra mijëra shqiptarë e kanë shkarkuar këtë aplikacion në celularin e tyre.

Pas tërmetit të pasdites së sotme, mijëra shqiptarë u vërsulën sërish në celular tek ky aplikacion, duke e rrëzuar atë.

“Faqja juaj ka rënë. Pak a shumë e panevojshme kur të duhet,” shkruan një përdoruese.

Administratori i aplikacionit është përgjigjur duke thënë se “e dimë, na vjen keq. Paslëkundja e fundit në Shqipëri na ka krijuar vështirësi serioze. Po bëjmë më të mirën”.

Në një tjetër mesazh, ata shfajësohen duke thënë se janë thjesht një organizatë jofitimprurëse, pa një financim të përhershëm, prandaj kanë probleme të tilla.

Shumë ekspertë në Shqipëri kanë këshilluar shqiptarët që të fshijnë këtë aplikacion, pasi po i mban në gjendje paniku sepse aty shihen edhe tërmete që nuk ndjehen. Sizmiologët thonë se pas një tërmeti të madh është normale që të ketë qindra pasgoditje.

Po çfarë është ky aplikacion që është shkarkuar nga qindra-mijëra shqiptarë?

Bëhet fjalë për LastQuake (tërmeti i fundit), një aplikacion i krijuar nga një OJF shkencore, e quajtur Qendra Sizmiologjike Euro-Mesdhetare me qendër në Francë.

Qëllimi i tij është që të raportojë tërmetet shumë më shpejt se qendrat e tjera sizmike.

Nëse i hedh një sy numrit të raportimeve, e kupton vërtet se numri i paslëkundjeve në Shqipëri është shumë i madh dhe mund të ndjehesh keq dhe në panik.

Por si funksionon ky aplikacion?

Ai monitoron tërmetet bazuar në tre shtylla.

Dy shtyllat e para janë të bazuara tek vetë raportimet e qytetarëve nëpër rrjetet sociale. Fillimisht janë qytetarët që mund të raportojnë direkt si dëshmitarë në këtë aplikacion.

Së dyti, aplikacioni ka një filtër që monitoron kur ka një lëvizje të pazakontë të fjalës ‘tërmet’ në rrjet, duke lokalizuar zonën.

Së treti, ai përdor të dhëna që merren nga burime të specializuara ndërkombëtare siç është Shërbimi Gjeologjik Amerikan.

Për shkak se është në gjendje të monitorojë me shpejtësi këto elementë, aplikacioni është ndalesa e parë për informacion për tërmetet.

Më 26 nëntor, aplikacioni nuk e mbajti dot ngarkesën e kërkimeve nga shqiptarët. Dy ditë më vonë u raportua se janë bërë mbi 120 mijë shkarkime të këtij aplikacioni nga Shqipëria.