AKTUALITET, 24 Korrik 2019, 21:36

Tërmetet në Korçë/ Banorët në protestë për ringritjen e shtëpive: Të fillojnë punimet para dimrit

Tërmetet në Korçë/ Banorët në protestë

Pasi ngelën në qiell të hapur, banorët e fshatit Qafë Zezë kanë protestuar ditën e sotme para Bashkisë së Kolonjës për ringritjen e shtëpive të tyre, të cilat u dëmtuan nga lëkundjet e forta sizmike që përfshinë qarkun e Korçës rreth një muaj më parë.

Banorët e prekur nga tërmeti vijojnë të qëndrojnë në çadrat e ngritura pranë banesave të rrënuara, ndërsa shprehen se ndihen të shqetësuar për fëmijët dhe të sëmurët.

“Nuk jetoj dot atje, në çadër. E kam djalin me dializë të sëmurë. Unë dua që të fillojnë tani punimet se jemi përjashta”

“Dimri po vjen. Ku mund të venë këta me fëmijë të vegjël. Ku mund të flenë, kush mund të na japë një përgjigje? Nëse fshati nuk do marrë përgjigje sot do të mblidhemi dhe do të bllokojmë rrugën kryesore”.

“Djali me vëllanë dhe nusen rënë, në makinë kanë fjetur. Nesër mua fëmija më lind, ku ta shpie fëmijën e vogël”, shprehen disa nga banorët.

Kujtojmë se para një muaji banorët e Floqit në Korçë kanë braktisur banesat e tyre, pasi u goditën nga 16 tërmete të fuqishme brenda 7 orëve.

U dëmtuan 307 banesa, 97 prej tyre të shkatërruara. Banorët e kësaj zone, janë strehuar në çadrat e ngritura nga Forcat e Armatosura dhe EC.