BOTA, 10 August 2026, 16:29

Tërmet i fuqishëm në Kolumbi, ka të plagosur dhe dëme materiale

Tërmet i fuqishëm në Kolumbi, ka të plagosur dhe dëme

Një tërmet i fuqishëm i regjistruar mëngjesin e së hënës shkaktoi të plagosur dhe dëme të konsiderueshme në provincën Chocó, në bregdetin e Paqësorit në Kolumbi, njoftoi guvernatorja e provincës. Lëkundjet u ndjenë edhe në kryeqytetin Bogotá, si dhe deri në Venezuelë.

“Kemi përjetuar një tërmet të madh në departamentin e Chocó. Jemi të shqetësuar për pasgoditjet. Megjithëse epiqendra ishte pranë San José del Palmar, ka të plagosur dhe dëme të konsiderueshme në ndërtesat në kryeqytetin Quibdó. Tashmë po kryejmë vlerësimin e dëmeve dhe së shpejti do të publikojmë raportin e parë zyrtar”, shkroi në X guvernatorja Nubia Carolina Córdoba-Curi.

Njësia Kombëtare për Menaxhimin e Rrezikut nga Fatkeqësitë bëri të ditur se tërmeti u regjistrua në orën 07:34 të mëngjesit, me magnitudë 6,6 dhe në një thellësi prej 79 kilometrash.

Autoritetet thanë se janë në kontakt me strukturat lokale për të verifikuar përmasat e dëmeve dhe numrin e personave të prekur nga tërmeti. Prej lëkundjeve të forta, banorë në disa zona dolën në rrugë, ndërsa autoritetet kanë paralajmëruar për mundësinë e pasgoditjeve.