TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Irani ka emëruar ish-kreun e Gardës Revolucionare, Mohsen Rezaei, në krye të Këshillit të Lartë të Sigurisë Kombëtare.
71-vjeçari është një prej figurave më të rëndësishme të regjimit iranian, por njëkohësisht kërkohet ndërkombëtarisht për rolin e dyshuar në një prej sulmeve më vdekjeprurëse antisemitike të dekadave të fundit, atentatin me bombë të vitit 1994 në qendrën komunitare hebraike AMIA në Buenos Aires të Argjentinës.
Lajmi për emërimin e Rezaeit u bë i ditur të dielën nga Presidenca iraniane. Ai bëhet personi i dytë që merr drejtimin e Këshillit të Lartë të Sigurisë Kombëtare pas vrasjes së zyrtarit të fuqishëm iranian Ali Larijani nga Izraeli në mesin e muajit mars, vetëm pak javë pas nisjes së luftës së SHBA-së dhe Izraelit kundër Republikës Islamike.
Rezaei zëvendëson Mohammad Bagher Zolghadr, i cili do të marrë detyrën e këshilltarit politik të liderit suprem të Iranit, Mojtaba Khamenei.
“Pas dorëheqjes së Mohammad Bagher Zolghadr nga posti i sekretarit të Këshillit të Lartë të Sigurisë Kombëtare dhe emërimit të tij në detyra të reja, presidenti Masoud Pezeshkian emëroi Mohsen Rezaein në krye të këtij institucioni”, deklaroi në rrjetin social X zëdhënësi i Presidencës iraniane, Mehdi Tabatabaei.
Emërimi i Rezaeit vjen në një periudhë ndryshimesh të vazhdueshme në drejtimin e Këshillit të Lartë të Sigurisë Kombëtare, një prej institucioneve më të fuqishme në sistemin iranian të pushtetit.
Këshilli përfshin rryma të ndryshme politike dhe përballet me rivalitete të brendshme, ndërsa njëkohësisht po përpiqet të përshtatet pas humbjes së disa zyrtarëve të lartë gjatë luftës.
Rezaei ka mbajtur një qëndrim të ashpër sa i përket kontrollit të Ngushticës së Hormuzit. Në fillim të këtij muaji, ai deklaroi se Irani nuk do të lejojë kurrë krijimin e një rruge të paautorizuar përmes ngushticës.
Në korrik, ai kishte deklaruar se kontrolli i Ngushticës së Hormuzit është “më i rëndësishëm se dhjetëra bomba atomike”, duke iu referuar programit bërthamor të Iranit, i cili është gjithashtu një prej çështjeve kryesore në konfliktin me SHBA-në dhe Izraelin.
Mohsen Rezaei drejtoi Gardën Revolucionare nga viti 1981 deri në vitin 1997, periudhë që përfshiu pothuajse të gjithë luftën Iran-Irak. Pas kësaj, ai mbajti një sërë postesh të larta politike dhe, së fundmi, shërbeu si këshilltar ushtarak i Mojtaba Khameneit.
Gjatë periudhës së drejtimit të Gardës Revolucionare, organizatë të cilën SHBA-ja e ka shpallur terroriste, Rezaei dyshohet se ka pasur rol në sulmin ndaj qendrës komunitare hebraike AMIA në Buenos Aires në vitin 1994.
Sipas një vendimi të një gjykate argjentinase, sulmi me bombë u krye nga anëtarë të Hezbollahut, ndërsa u planifikua dhe financua nga Irani. Nga shpërthimi në AMIA humbën jetën 85 persona, ndërsa qindra të tjerë u plagosën.
Hetuesi kryesor i çështjes AMIA, Alberto Nisman, i cili u gjet i vdekur në vitin 2015, kishte arritur në përfundimin se vendimi për kryerjen e sulmit ishte marrë gjatë një takimi të “Komitetit të Operacioneve Speciale” të udhëheqjes iraniane, më 14 gusht 1993, në Mashhad.
Në aktakuzën e hartuar në vitin 2006, Nisman kishte identifikuar liderin e atëhershëm suprem të Iranit, ajatollahun Ali Khamenei, si drejtues të këtij këshilli. Sipas tij, vendimi përfundimtar për sulmin ndaj AMIA-s ishte marrë nga Khamenei dhe presidenti i atëhershëm iranian, Ali Akbar Hashemi Rafsanjani.
Sipas akuzave, “Zyra e Informacionit dhe Sigurisë”, e drejtuar nga Rafsanjani, kishte planifikuar dhe organizuar sulmin.
Rezaei, në cilësinë e komandantit të Gardës Revolucionare dhe si anëtar i këtij organi, dyshohet se kishte marrë pjesë në hartimin e planit. Aktakuza e Nismanit theksonte gjithashtu se përfshirja e Rezaeit “u shtri edhe në fazën e zbatimit të sulmit”.
Mohsen Rezaei është në kërkim nga Interpol prej rreth dy dekadash për rolin e dyshuar në sulmin terrorist ndaj AMIA-s. Që prej vitit 2007, ndaj tij është lëshuar një “Red Notice”, ndërsa kërkesa të ngjashme janë lëshuar edhe për pesë shtetas të tjerë iranianë dhe një shtetas libanez.
Në vitin 2022, Argjentina i kërkoi Katarit arrestimin e Rezaeit, pasi ai ndodhej në vendin e Gjirit. Megjithatë, autoritetet e Dohas nuk e arrestuan atë.
“Akuzat ndaj tij burojnë nga pjesëmarrja e provuar në takimin ku u vendos kryerja e sulmit ndaj selisë qendrore të AMIA-s”, kishte deklaruar në atë kohë gjyqtari federal argjentinas Daniel Rafecas në një letër zyrtare drejtuar Katarit.
Po në vitin 2022, pjesëmarrja publike e Rezaeit në ceremoninë e betimit të presidentit të Nikaraguas shkaktoi reagimin e ashpër të Argjentinës.
Ministria e Jashtme argjentinase e kishte cilësuar praninë e tij si një “fyerje ndaj drejtësisë argjentinase dhe viktimave të sulmit brutal terrorist” në kryeqytetin e vendit.