TEJ E KETEJ, 18 Dhjetor 2021, 15:17

Përparon Kuvendi i Lulit/ Jemin Gjana me pesë mijë delegatë, kërkojnë edhe shkarkimin e Edi Ramës!

Përparon Kuvendi i Lulit/ Jemin Gjana me pesë mijë delegatë,

Korespodenti i rubrikes tonë satirike, Tej e Këtej, që u paraqit i pari në Kuvendin Kombëtar të Lulit edhe si gazetar edhe si delegat edhe si pjesë e administratës, pas katër orësh, na dërgoi këtë lajm “bombë”. 

Zotni Jemin Gjana, kryenumëruesi i të gjithë votave dhe votimeve demokratike, që bën PD-ja brendapërbrenda vetes, për zgjedhjen e Luli Bashës gjithmonë kryetar, pas seancës së parë, në pushim, i bëri Lulzim Bashës këtë propozim:

Jemini: Zoti Kryetar! Të njoftoj se janë pjekur plotësisht kushtet, që në momentin që do të bëjmë përjashtimin final të Sali Berishës nga Partia, është mirë, që para se të largohen pesë mijë delegatët, që nuk do t’i mbledhim dot kurrë, të kryejmë edhe shkarkimin e menjëhershëm të Edi Ramës, nga kryeministër i vendit!
Kështu, me një gur, jo vetëm vrasim dy zogj, por realizojmë edhe fitoren më të madhe, demokratike dhe pro amerikane në këto 30 vjet.
Të mos e lëmë të na largohet kjo mundësi e artë! Përderisa po shkarkojmë të gjithë armiqtë e PD-së, jemi që jemi, t’i japim fund edhe Edi Ramës.

Luli Basha: E kam menduar edhe këtë Jemin, por nuk të them dot ekzekutoje, sepse nuk kam folur akoma me Yuri Kim. Dhe e dyta, por që është më e rëndësishmja, ne 62% të delegatëve, na i ka sjellë Edi Rama me autobuzë. Kështuqë sot është e pamundur...

Jemini: Nuk di ç’të them zoti kryetar, por rast më të mirë për heqjen e Edi Ramës nuk do të na vijë ndonjëherë.

Pas këtyre fjalëve, ashtu siç ndodh rëndom, ndërhyri në mënyrë të beftë, Grida Duma.

Grida: Kolegu Jemin, kolegu Jemin! Mos u nxito, të lutem! Thjeshtëzimi është një abstraksion ideal. Por, nuk janë kaq të thjeshta gjërat dhe proceset. Metaforikisht ne mund ta bënim këtë shkarkim, por ku do të na çojë pastaj anija, pa kolegun tonë Rama, pa autobuzët e tij? 

Në fund, ndërhyri Lulzim Basha dhe i vuri kapak bisedës me këto fjalë: 

-E lëmë këtë propozim! Kemi kohë. Flas pas mbarimit të Kongresit me Kimin dhe pas një muaji, mbledhim Kongres tjetër. Nuk u bë qameti për një Kongres më shumë! Ne vetëm Kongrese kemi tani. Pas një muaji, më vjen zëri, që më iku sot, mbledhim Kongresin e ardhshëm dhe largojmë flamën Edi Rama!