AKTUALITET, 15 Maj 2018, 11:11

“Të dorëhiqet Xhafaj”, deputetët e opozitës të gjithë në Komisionin e Ekonomisë

“Të dorëhiqet Xhafaj”, deputetët e opozitës

Opozita ka bllokuar edhe Komisionin e Ekonomisë duke kërkuar njëherazi dorëheqjen e Fatmir Xhafajt, ministrit të Brendshëm.

Kreu i Grupit të PD, Edmond Spaho dhe deputetët e opozitës janë vendosur përballë mazhorancës në shenjë proteste; kreu i komisionit Erion Braçe ka tentuar të vendosë rregull dhe të shmangë aksionin e opozitës, por nuk ka mundur.

“Unë besoj se në detyrën e parë të këtij Komisioni që ne të fillojmë e të diskutojmë ashtu si në çdo Komision tjetër parlamentar për të atë që PD ka publikuar dhe opinioni publik po diskuton. Parlamenti i Shqipërisë nuk mund të ketë axhendë tjetër përveç dorëheqjes së Fatmir Xhafës. Ne nuk mund të sillemi sikur nuk ka ndodhur asgjë. Sepse ky nuk është rast i izoluar. Ministria e Brendshme e përfshirë në trafikun e drogës është kthyer në sistem. Ikën një Ministër i Brendshëm, me një kupolë të tërë policie, të përfshirë drejtpërdrejt në trafik droge fakt i mbështetur nga partnerët ndërkombëtarë, vjen një ministër tjetër droge i cili drejton sot Ministrinë e Brendshme dhe që ka të njëjtën strukturë kriminale që kishte në pesë vitet e fundit. Ne si Komision Ekonomie ne na takon të diskutojmë për këtë çështje. Të diskutojmë edhe për ligjin e lojërave të fatit z.Braçe që u shtye në dy vite siç duket për të mbrojtur interesat kriminale që sot drejtojnë Ministrinë e Brendshme. Këtu anëtarët e majtë të këtij Komisioni, kanë ndihmuar drejtpërdrejt Agron Xhfajn, për të përfituar nga trafiku i lojërave të fatit. Komisioni i Ekonomisë duhet të kishte këtë në rend dite” u shpreh në komision Jorida Tabaku.

“Jam shumë i sigurtë që duhet të funksionojë shteti – tha Braçe, – dhe nuk është një parti politike që jep vendime. Deputeti vendosej të pushkatohej dhe pastaj ai pushkatohej vetë.”

“Lëre tani këtë muhabet”, qe reagimi i deputetëve të opozitës.

Braçe vazhdoi: “A ka mundësi të mbaroj unë?! Institucionet duhet të veprojnë.”

Pavarësisht dyndjes së të gjithë grupit parlamentar demokrat në sallën e Komisionit, Erjon Braçe nuk e ka ndërprerë mbledhjen dhe ka lejuar diskutimet e opozitës, duke u përpjekur për të respektuar rendin e ditës.