AKTUALITET, 5 Korrik 2021, 13:40

Të arrestuar për laboratorin e drogës në Has, apeli i GJKKO vulos vendimet për të arrestuarit e grupit të Avdylajve

Të arrestuar për laboratorin e drogës në Has, apeli i GJKKO

Gjykata e Apelit Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dhënë vendimin për 17 të arrestuarit e grupit Avdylaj.

Sipas Fax Web, GJKKO ka lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë për të akuzuarit.

Ata janë pjesë e një prej fraksioneve të ‘Dosjes 339’ që ka të bëjë me laboratorin e drogës në Has. Për 17 pjesëtarë GJKKO ka dhënë në total 126.8 vite burg teksa kujtojmë se laboratori i drogës në Has ka që në tetor të 2018 që është zbuluar.

Dënimi:

1. Gjevi Ndoka 8 vjet 8 muaj

2. Altin Avdyli 6 vjet 8 muaj

3. Esat Mehmeti 10

4. Petrit Suljemani 8 vjet 8 muaj

5. Sajmir Sulejmani 8

6. Hajri Seferi 10 vjet 8 muaj

7. Orges Jahoelezi 6 vjet 8 muaj

8. Shkëlqim Avdyli 4 vjet 8 muaj

9. Mario Zeqiri 4 vjet 8 muaj

10. Elton Shehaj 4 vjet 8 muaj

11. Ardit Gjyriqi 4 vjet 8 muaj

12. Admir Hoxha 12 vjet

13. Hekuran Hoxha 10 vjet 8 muaj

14. Vehbi Berushi 8

15. Anila Shuti 2 vjet – konvertim 25 muaj shërbim prove

16. Xhavit Shyti 8 vite

17. Flamur Çela 8 vite

HETIMI

Sipas dosjes së Prokurorisë, dy nga anëtarët e grupit të Shijakut, Sajmir Gjepali dhe shtetasi Hekuran Hoxha, i cili ka qenë i dënuar më parë në Turqi si i akuzuar për trafik heroine, ka pasur komunikime me biznesmenin nga Tirana për laboratorin e drogës në Has.

Prokuroria ka dokumentuar një takim mes Admir Hoxhës me dy shtetasit turq Nedjet Cesuroglu allias Lavdërim Limani dhe Iskender Sale në hotelin e tij në Rinas, si dhe me shtetasin nga Kosova, Xhemal Shala.

Këta dy persona nga Turqia, sipas Prokurorisë kanë sjellë lëndën e parë për ta kthyer në heroinë. Admir Hoxha, nga vëzhgimet në terren rezulton se është personi që kishte përgatitur ambientin e kthyer në laborator për prodhimin e lëndës narkotike në bashkëpunim me persona ende të paidentifikuar.

Nga provat e mbledhura në laborator, krahas lëndës së parë ka rezultuar se ishte prodhuar 182.5 kg drogë. Prokuroria mbërrin në përfundim se, të dhënat e përftuara deri më tani tregojnë se lëndët dhe sendet materiale të sekuestruara shërbenin për prodhimin e lëndëve narkotike si ajo e heroinës.

Sipas Prokurorisë, Xhemal Shala, Admir Hoxha dhe dy shtetasit turq, në bashkëpunim mes tyre në formën e një grupi të strukturuar kriminal janë përfshirë në prodhimin, shitjen dhe trafikimin e lëndëve narkotike. Admir Hoxha dhe bashkëpunëtorët e tij turq dhe kosovarë vijojnë te jenë në kërkim nga Policia.

Sipas të dhënave të Qendrës Kombëtare të Biznesit, Admir Hoxha rezulton të jetë pronar i hotelit “Ador Resort”, në Rinas.

Ky biznes rezulton të jetë regjistruar në vitin 2011, por më 2 tetor të këtij viti mban statusin “i pezulluar”. Sipas dosjes së Prokurorisë, këta persona janë mbajtur nën vëzhgim nga oficerët e Policisë Gjyqësore, që po merreshin me hetimin e çështjes.