AKTUALITET, 26 Shkurt 2019, 22:09

Taulant Balla: Deklaroj me përgjegjësi se PS nuk blen vota

Taulant Balla: Deklaroj me përgjegjësi se PS nuk blen vota

Kreu i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla ka mohuar se Partia Socialiste ka vjedhur vota pavarësisht përgjimeve të publikuara. Në emisionin “Dritare me Rudinën” në News24, Balla tha se zgjedhjet e 2017 u krijuan nga një qeveri ku portofolat më të rëndësishëm i kishte PD dhe se rezultati nuk u kontestuar për 18 muaj.

Para 21 shkurtit thatë se kjo djegia e mandateve është lojë?

Bie dakord me konstatimin tuaj se nuk e besoja se kanë shkuar kaq keq.

Raporti i OSBE-ODIHR thoshte se 20% e votave janë vjedhur?

Raporti i OSBE/ ODIHR ka në vetëm një prej faqeve të tij një rast që i referohet blerjes së votave nga një kandidat i LSI-së në Shkodër. A ka pasur tentativa e blerje vote… por asnjëherë këto fenomene nuk kanë ndikuar në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve. Edhe raporti që ju i referoheni ka dalë në përfundimin se të gjitha këto parregullsi nuk kanë ndikuar në rezultatin përfundimtar.

Kanë dalë përgjime të grupit të trafikantëve të drogës të Shijakut që komunikonin me kryetarin e Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako për blerje votash. Kemi fakte të reja. Vihet në diskutim fitorja e 25 qershorit, me 74 deputetë them?

Deklaroj me përgjegjësi se PS nuk blen vota. Kemi marrë rreth 50 mijë vota më shumë se në 2013. Ajo që më vjen keq është kur shoh sot PD-në ose Bashën me në krah Monikën, kur unë kujtoj çdo natë procesin zgjedhor të 2017 kur kandidati i PD më shkruante pafund se ç’bënte LSI në Gramsh apo Cërrik. Këta e dinë çfarë rezultati zgjedhjesh marrin dhe nesër.

Kemi para zgjedhjet administrative. Unë uroj që procesi i vetasgjësimit të PD e LSI, të them të drejtën për PD si opozita kryesore më vjen keq, të mos shkojë drejt bojkotimit të zgjedhjeve vendore. Vetasgjësimi i tyre nuk shkon deri në këtë pikë. Zgjedhjet vendore janë këtë qershor zgjedhjet e përgjithshme në qershor 2021.