AKTUALITET, 20 Mars 2021, 09:18

Talebanët paralajmërojnë Amerikën: Tërhiqni ushtrinë nga Afganistani brenda 1 majit

Talebanët paralajmërojnë Amerikën: Tërhiqni

Talebanët kanë paralajmëruar Uashingtonin që të mos shkelë afatin e 1 majit për tërheqjen e trupave amerikane nga Afganistani.

Në të kundërt, ata do të ballafaqohen me reagimin e këtij rrjeti.

Ky paralajmërim nënkupton se mund të ketë shtim të sulmeve ekstremiste.

Talebanët e nxorën paralajmërimin e tyre në një konferencë për shtyp në Moskë, një ditë pas takimit me negociatorë të qeverisë afgane dhe vëzhguesve ndërkombëtare në përpjekje për të ringjallur procesin e paqes për t’i dhënë fund konfliktit në Afganistan.

Ndërkohë, administrata e Presidentit Biden thotë se po analizon marrëveshjen që nënshkroi administrata e mëparshme me talebanët. “Mund të bëhet realitet, por do të jetë e vështirë,”, tha Biden.

Në konferencën e Moskës morën pjesë i dërguari amerikan për paqe në Afganistan, Zalmay Khalilzad, kreu i Këshillit Afgan për Ripajtim Kombëtar, Abdullah Abdullah, dhe bashkëthemeluesi i talebanëve, Mullah Abdul Ghani Baradar, i cili kryesoi një delegacion me 10 anëtarë.

Në konferencë ishin të pranishëm edhe përfaqësues të Indisë, Iranit dhe Kinës.