TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, paralajmëroi se përfshirja e bizneseve të vogla në skemën e TVSH-së, sipas masave që ajo kundërshton në Paketën Fiskale 2027, do t’i vendosë ato përballë rritjes së çmimeve ose rrezikut të mbylljes. Në një video në rrjetet sociale, ajo akuzoi qeverinë se po shton barrën mbi njerëzit e punës dhe shtresën e mesme.
“Çdo biznes i vogël sot mban një familje. Mbas çdo biznesi që mbyllet, është një familje pa të ardhura”, u shpreh Tabaku, duke e lidhur debatin mbi taksat me pasojat për ekonominë familjare.
Një tjetër shqetësim i ngritur prej saj është trajtimi i profesionistëve të lirë. Tabaku iu referua betejës së fituar në Gjykatën Kushtetuese për taksimin e tyre dhe argumentoi se përfshirja në TVSH me normën 21% do të krijonte presion për shtrenjtimin e shërbimeve dhe vështirësi për mbijetesën e aktiviteteve të vogla.
Deputetja kundërshtoi edhe ndryshimin e mënyrës së pagesës së taksës së karburantit. Sipas saj, zhvendosja e pagesës nga nafta te makina nuk përbën heqje të barrës për qytetarët.
Tabaku e cilësoi të pavërtetë pretendimin se paketa sjell ulje taksash, duke deklaruar se buxheti dhe masat fiskale do të rëndojnë më shumë mbi shqiptarët nga 1 janari 2027.
“Për shqiptarët, thesin e rrenave. Për miqtë, thesin e miliardave”, deklaroi ajo.
Në mbyllje të reagimit, Tabaku akuzoi qeverinë për përdorimin e fondeve publike në favor të interesave të lidhura me të, duke e përshkruar një pjesë të shpenzimeve buxhetore si “taksa e korrupsionit”.
Deklarata
Për 14 vite me radhë, Edi Rama i mbitaksoi shqiptarët, sidomos shtresën e mesme, duke i bërë taksapaguesit më të lartë në të gjithë rajonin e duke e kthyer Shqipërinë në vendin që takson më shumë qoftë çmimin e produkteve, qoftë karburantin, qoftë pagat, qoftë punën.
Përsëri gënjeu shqiptarët për t’u hedhur hi syve dhe e solli Paketën Fiskale dhe Buxhetin përsëri me taksa të larta.
Së pari, të gjitha bizneset e vogla do të përfshihen në skemën e TVSH-së, duke sjellë çmime më të larta ose mbylljen e tyre.
Po çfarë kanë këta me njerëzit e punës? Çfarë kanë këta që i detyrojnë bizneset të largohen, të mbyllen e të mos kenë asnjë të ardhme? Çdo biznes i vogël sot mban një familje. Mbas çdo biznesi që mbyllet, është një familje pa të ardhura.
Së dyti, profesionistët e lirë janë shtresa e mesme e shoqërisë, janë palca e shoqërisë, me të cilët fituam një betejë në Gjykatën Kushtetuese. Sot do të kenë 21% TVSH, duke i detyruar ata që t’i rrisin të gjitha shërbimet e tyre me 21%, gjithmonë nëse ia dalin t’i mbajnë në këmbë bizneset e tyre të vogla.
Së treti, e gjithë shoqëria do të përjetojë një rritje taksash, duke nisur me TVSH-në 21%, me taksën e karburantit, e cila nuk paguhet te nafta, por paguhet te makina.
Është thjesht gënjeshtër, është thjesht hi syve fakti që këta mund të ulin taksa, se shifrat janë atje, buxheti është atje.
Shoqëria shqiptare, çdo shqiptar, çdo biznes do të paguajë taksa më të larta, duke nisur nga 1 janari 2027.
Për shqiptarët, thesin e rrenave. Për miqtë, thesin e miliardave.
10 miliardë euro të buxhetit, nga të cilat pothuajse gjysma është taksa e korrupsionit, ashtu siç ka qenë çdo vit. Asgjë e re.