AKTUALITET, 6 Korrik 2018, 17:52

“Super Gjelat”, Varan-Grizman kualifikojnë Francën në gjysmëfinale

Franca siguroi një vend në gjysmëfinalet e Kupës së Botës “Rusi 2018”, pas fitores bindëse 2-0 me Uruguain, falë golave të Rafael Varan në pjesën e parë dhe Antuan Grizman në të dytën.

Një gol i shkëlqyer me kokë i realizuar nga Rafael Varan në minutën e 40-të, pas ekzekutimit të një goditje dënimi nga Antuan Grizman, i garantoi Francës fitimin e pjesës së parë 1-0 ndaj Uruguait, në ndeshjen e parë të çerekfinaleve të Botërorit.

Në minutën e 61-të, i shërbyer nga Toliso në të majtë, Grizman, nga 25 metra, dërgon një silurë me të majtën. Portieri Muslera duket mirë i vendosur në trajektoren e topit, por bën një gabim të madh me duar, duke e devijuar atë në rrjetë. Francë-Uruguai 2-0.

Franca do të luajë në gjysmëfinale me fituesin e çiftit Brazil-Belgjikë, që do të luhet sot në mbrëmje në orën 20:00.

/TPZ.AL/