AKTUALITET, 30 Gusht 2018, 18:26

Sulmi me automatik ndaj gazetares Lala, gjithçka duhet të dini

Sulmi me automatik ndaj gazetares Lala, gjithçka duhet të dini

Një sulm me armë automatike në drejtim të banesës  së prindërve të Klodiana Lalës nga persona ende të paidentifikuar, ishte paralajmërimi i fortë i botës së krimit ndaj gazetares investigative të televizionit News24 dhe gazetës “Gazeta Shqiptare” për raportimet e saj të disa aferave kriminale me mbështetjen e politikës.

DINAMIKA E NGJARJES 

Sulmi me armë ndodhi midis orës 3 të mëngjesit në shtëpinë e prindërve të gazetares në fshatin Domje, që ndodhet përgjatë autostradës Tiranë-Durrës. Pas njoftimit nga ana e Lalës, policia gjeti të paktën dhjetë gëzhoja, ndërsa shenjat që lanë plumbat janë në muret ballorë dhe në derën e banesës. Vetë Klodiana ishte larguar së bashku me bashkëshortin në orët e vona të mbrëmjes, disa orë para ngjarjës.

Sipas Lalës, në shtëpi në momentin e ngjarjes ndodheshin prindërit, vëllai, motra, vjehrra dhe vjehrra e motrës që kishin ardhur nga Italia, të cilët ndëjten për darkë. Pas incidentit të rëndë, familjarët e gazetares u shpërngulën te shtëpia e xhaxhait të saj.

Në komunikatën e Policisë thuhet: “Më datë 30.08.2018, rreth orëve të mëngjesit, në lagjen “Bruk”, në rrugën “Shkëndija” është qëlluar me armë zjarri në drejtim të pjesës së jashtme të banesës së shtetasit A. L., rreth 64 vjeç. Nuk ka dëme në njerëz. Po punohet për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve”.

 

DENONCIMI I LIDHJEVE TË KRIMIT

Klodiana Lala, së bashku edhe me gazetarin investigative Artan Hoxha, është një nga zërat më të fuqishëm në raportimin dhe zbardhjen e lidhjeve të politikës me krimin në disa prej ngjarjeve më të rënda kriminale në vitet e fundit në Shqipëri.

Ajo ka qenë shpesh në studio televizive, ku ka sjellë fakte të pakundërshtueshme. Paraprakisht dyshohet se sulmi ka ardhur pikërisht për shkak të detyrës së saj dhe në këtë pistë janë orientuar edhe hetimet e policisë.

“Nuk kam asnjë konflikt familjar dhe te gjitha dyshimet lidhen me ushtrimin e detyrës”, tha ajo, duke shtuar se “edhe pse tronditja është e madhe, unë nuk do të heq dorë nga profesioni im”.

Ish-ministri i Brendshëm, Flamur Noka, e lidh sulmin me armë “me denoncimin e fundit të gazetares së kërcënuar, lidhje e deputetit të Ramës, Jurgis Çyrbja, me bandën e Emiljano Shullazit”.

REAGIMET E POLITIKËS

Në mbështetje të Klodiana Lalës janë vendosur të gjithë. Solidaritet me të kanë shprehur kolegë gazetarë, politikanë, aktivistë të shoqërisë civile, etj.

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, i telefonoi gazetares, duke e mbështetur atë dhe i kërkuar të vazhdojë e patrembur në misionin e saj, duke kërkuar nga Drejtori i Përgjtishëm i Policisë zbardhjen e plotë të ngjarjes së rëndë. “Inkurajoj organet e sundimit të ligjit të hetojnë në mënyrë të plotë dhe shteruese, këtë ngjarje të rëndë, e të venë para ligjit këdo që qëndron pas saj. Liria e medias është kusht i pazëvendësueshëm për garantimin e të drejtave të njeriut në një shoqëri demokratike”, ishte mesazhi i Presidentit.

Edhe Kryeminitri Edi Rama reagoi në rrjetin social “Twitter: “E patolerueshme barbaria mbi shtëpinë e gazetares Klodiana Lala! Ngjarja duhet zbardhur sa më parë dhe strukturat e shtetit janë të angazhuara maksimalisht”.

Ish-kryeministri Sali Berisha e konsideroi si një “akt i porositur dhe organizuar nga familjet e mëdha mafioze te narkoqeverisë së Norieges, për t’i mbyllur gojën një gazetareje investigative, e cila po investigonte me guxim krimin dhe trafiqet kriminale te niveleve me te larta te familjeve qeveritare mafioze.

Lideri i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi se “Mesazhi mafioz për gazetaren është i qartë:se kush del nga rreshti, kush shqetëson qeverinë, kush nuk i bindet sundimit të krimit, e ka fundin e shpejtë”.

Kryedeputeti i LSI, Petrit Vasili, thotë se kjo është një “ditë e keqe për lirinë e gjithsecilit nga ne. Klodiana Lala profesioniste me integritet e medias sulmohet. Liria e medias gjendet nën atak frontal nga krimi i organizuar që tashme ka uzurpuar qeverinë”.

Ish-ministri tjetër i Brendshëm, Dritan Demiraj, në reagimin e tij shkruan se përpjekja për t’i mbyllur gojën gazetares dhe mediave të pakta të pavarura dëshmon për gjendjen e rëndë kriminale dhe të pakontrolluar të krimit në Shqipëri. Krimi është trimëruar nga mosndëshkimi”.

SOLIDARITET NGA MEDIA

“Nuk ka asnjë dyshim se breshëria e kallashnikovit që ka terrorizuar dje në mesnatë familjen e koleges Klodiana Lala ka lidhje me detyrën e saj si gazetare dhe si reportere e shkëlqyer terreni. Mesazhi është i qartë, vija e kuqe nuk duhet shkelur, nga reporteret e terreni”, shkruan gazetari i njohur investigative, Artan Hoxha.

Shoqata e Mediave Elektronike Shqiptare, Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë dhe Lidhja e Gazetarëve të Shqipërisë dënojnë me ashpërsinë më të madhe sulmin me armë ndaj gazetares investigative, Klodiana Lala. “Breshëria e plumbave e lëshuar mbi shtëpinë e saj është kambanë alarmi që bie fort për rrezikun që u kanoset gazetarëve në kryerjen e detyrës së tyre të përditshme”, thuhet midis të tjerash në deklaratën e tyre.

REAGIMI I NDËRKOMBËTARËVE

Jehona e sulmit me armë në shtëpinë e gazetares investigative Klodiana Lala ka mbërritur deri në Vjenë, në zyrat e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE). Kjo e fundit ka reaguar, duke dënuar ashpër sulmin ndaj banesës së gazetares, ndërsa ka kërkuar nga autoritetet që të nxjerrin para drejtësisë personat përgjegjës.“Dënojmë me forcë sulmin e sotëm kundër gazetares Klodiana Lala dhe i nxitim autoritetet të nxjerrin para drejtësisë personat përgjegjës. Media e lirë luan rol thelbësor në demokraci dhe dhuna kundër gazetarëve është shenjë shumë negative për shëndetin dhe lirinë e shoqërisë”, thuhet në prezencën e OSBE-së në Shqipëri. Edhe Ambasada Amerikane reagoi.

/TPZ.AL/