AKTUALITET, 21 Mars 2021, 14:18

Sulmi me armë në Shkodër, arrestohen dy vëllezërit Doçi

Sulmi me armë në Shkodër, arrestohen dy vëllezërit

Policia ka arrestuar dy shtetasit e plagosur mbrëmjen e kaluar në fshatin Bardhaj të Shkodrës, Marjan Doçi 23 vjeç dhe Hoten Doçi 30 vjeç.

Arrestimi i tyre është bërë në kushtet spitalore teksa ndodhen në Spitalin e Traumës në Tiranës jashtë rrezikut për jetën nën mbikëqyrje nga forcat e policisë.

Nga ana tjetër po mbrëmë policia ka identifikuar autorin e dyshuar shtetasin Besmir Perkola, i cili ka lënë të plagosur dy vëllezërit Doçi, i cili është shpallur në kërkim.

Dy vëllezërit e plagosur në deklarimin për policinë kanë thënë se nuk kemi asnjë konflikt dhe nuk e kemi idenë përse na ka qëlluar personi tjetër dhe madje nuk e njohim se kush ka qenë.

“Ishim tek makina kur një person u afrua dhe qëlloi drejt nesh në mënyrë të papritur. Nuk e kemi idenë përse na ka qëlluar sepse nuk kemi ndonjë konflikt”, mësohet të kenë thënë dy vëllezërit për policinë.

Policia e Shkodrës vijon hetimet për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje si dhe vijon puna për gjetjen dhe kapjen e autorit të dyshuar Besmir Perkola.

Që mbrëmë por edhe gjatë ditës së sotme një grup i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë ka qëndruar në vendin ku ndodhi plagosja për të shmangur çdo lloj konflikti tjetër pasi të dy familjet jetojnë afër njëra-tjetrës.