AKTUALITET, 21 Mars 2021, 13:57

Rama: Nuk patëm mandat normal, u goditëm nga tërmeti dhe pandemia

Rama: Nuk patëm mandat normal, u goditëm nga tërmeti dhe pandemia

Kryeministri Edi Rama nga Elbasani ku po prezanton kandidatët për deputetë në këtë qark, e ka cilësuar si një mandat jo normal katër vjeçarin e dytë të qeverisjes.

Rama tha se kanë marrë dy goditje të mëdha si tërmeti dhe pandemia.

“Ne nuk kemi pasur mandat normal, por të thyer në mes nga dy goditje, tërmeti dhe pandemia. Dhe ia kemi dalë, ja ku jemi. Shikoja dje në Itali, radha në pikat ku jepen ushqime falas.

Pa transformimin rrënjësor që kemi bërë. Pa folur për ujin e pijshëm të cilit po i jepet zgjidhje më në fund.

Në kushtet kur kemi trashëguar një humnerë totale nga çdo pikëpamje.

Do të kemi kohë ti shtjellojmë një për një në një fushatë që mesa duket nuk do ketë atë tiparin e përhershëm me turma të mëdha. Por do të na japë mundësi të komunikojmë më shumë në mënyrë direkte”, tha Rama.

Gjithashtu, kreu i qeverise mori në mbrojtje biznesmenin Gjergj Luca. Teksa komentoi përleshjen e këtij të fundit me kandidatin demokrat Luçiano Boçi, Rama tha se është e paimagjinueshme që përfaqësuesi i popullit të grushtojë një sipërmarrës.

“Është e paimagjinueshme që përfaqësuesi i popullit të grushtojë pa pushim si skuth me ndihmën e rojeve një sipërmarrës.

Punëdhënësin më të madh të Elbasanit. Është e pamundur që qytetaria e Elbasanit të identifikohet në shfaqje të dhunshme”, deklaroi Rama.