AKTUALITET, 30 Gusht 2021, 14:54

Sulmi amerikan me dron vret 10 civilë në Afganistan, mes tyre gjashtë fëmijë

Sulmi amerikan me dron vret 10 civilë në Afganistan, mes tyre


Një sulm me dron nga Shtetet e Bashkuara në Afganistan, i cili ka targetuar një kamikaz të degës së ISIS, ka lënë të vdekur edhe dhjetë civilë, të gjithë anëtarë të një familje. Mes tyre, mësohet se ka patur edhe gjashtë fëmijë. Ky informacion vjen pas dëshmive të familjarëve për BBC.

Dhjetë anëtarët e familjes fatkeqe, vdiqën kur droni goditi një makinë të parkuar pranë banesës së tyre të dielën.

Sipas ushtrisë amerikane, një automjet që mbante të paktën një person të lidhur me degën e ISIS në Afganistan, ishte targetuar.

Disa nga personat e vrarë, kishin punuar në të shkuarën për organizatat ndërkombëtare dhe kishin viza që u lejonin hyrjen në SHBA.

Sipas Komandës Qëndrore të SHBA-ve, është ende e paqartë nëse dhjetë civilë kanë humbur jetën. Mendohet se sasia e madhe e lëndëve eksplozive ka sjellë shpërthime të paparashikuara.

SHBA ka qenë në alert, pas sulmit terrorist në aeroportin ndërkombëtar "Hamid Karzai", ku vdiqën mbi 100 civilë dhe 13 ushtarë amerikanë dhe u plagosën qindra të tjerë.

Amerikanët kanë paralajmëruar për sulme të mundshme terroriste, ndërkohë që data kur ata do të largohen përfundimisht nga Afganistani është 31 Gushti.

Një numër i konsiderueshëm afganësh janë larguar tashmë nga vendi. Një pjesë prej tyre, janë strehuar përkohësisht në Shqipëri, në Qytetin Studenti dhe struktura hoteliere në Durrës dhe Shëngjin.

/TPZ.al/