AKTUALITET, 19 Maj 2020, 22:27

Studiuesja për alibinë e Veliajt: Si mund të jenë zgjedhjet referendum, për një pronë që nuk ishte e Bashkisë?

Studiuesja për alibinë e Veliajt: Si mund të jenë zgjedhjet

Studiuesja Adela Halo, duke folur në një lidhje direkte për emisionin "A show" në "Syri TV", ka ngritur pikëpyetje mbi një prej alibive që ka përdorur Erion Veliaj, për të justifikuar shembjen e Teatrit Kombëtar.

Veliaj ka deklaruar se ndërtimi i Teatrit të ri ka qenë një premtim elektoral në zgjedhjet e 30 Qershorit dhe se këto zgjedhje kanë qenë një referendum edhe për këtë çështje. Halo thotë se nuk ka logjikë që Veliaj të konsiderojë zgjedhjet si një referendum, për një pronë që nuk ka qenë fare e Bashkisë së Tiranës në atë kohë.

"Veliaj quajti referendum për Teatrin fitoren në zgjedhjet e qershorit. Por nuk mund të quash referendum një pronë që nuk ke, të cilën e ke marrë një vit më pas në maj të vitit 2020", u shpreh Halo në "A Show".

Në fakt, godina e Teatrit Kombëtar, kaloi në pronësinë e Bashkisë së Tiranës, vetëm pak ditë më parë dhe të gjitha procedurat që sollën shembjen e godinës, u kryen në mënyrë të rrufeshme dhe në shkelje të ligjit, brenda fare pak ditëve, në kohë pandemie.