AKTUALITET, 29 Korrik 2020, 14:57

Studentët flasin pas takimit në presidencë: Kërkuam të mos dekretohen zgjedhjet në universitete

Studentët flasin pas takimit në presidencë: Kërkuam të


Gjatë ditës se sotme një grup studentësh ishin në një takim në presidencë ku u pritën nga kabineti i presidentit Meta lidhur me zgjedhjet në universitete, që do të zhvillohen nesër, të enjten e 30 korrikut.

Studentët shprehën shqetësimin se këto zgjedhje janë të parregullta pasi do të zhvillohen në kushte të jashtëzakonshme dhe kërkuan nga Meta që të mos i dekretojnë.

Konkretisht përfaqësuesi ligjor i qëndresës qytetare, Marash Logu, u shpreh:

“Patëm një takim me institucionin e presidentit, u pritem nga kabineti i tij.

Siç e keni ndjekur dhe ju, kemi ezauruar të gjitha rrugët institucionale duke iu drejtuar universiteteve tona, ministrisë, kuvendit, por edhe gjykatës administrative Tiranë.

Pasi nuk arritëm të marrim asnjë zgjidhje përsa u përket zgjedhjeve, sot iu drejtuam presidentit duke i kërkuar që në përputhje me kompetencat e tij, si organi që dekreton rektorët e rinj të universiteteve, të dalë me një qëndrim të qartë dhe të prerë se nuk mund të ketë zgjedhje që janë të paligjshme, zgjedhja të parregullta dhe që përjashtojnë studentët.

Zgjedhjet në Tiranë janë të parregullta, të paligjshme. I kërkuam presidentit që para dhe pas zgjedhjeve të ketë të qartë se cilat kanë qenë shkeljet ligjore të këtij procesi që të kemi një vendimmarrje të drejtë.

Presidenti tha se çështja do të ketë të gjithë vëmendjen e tij dhe ne mbetemi të bindur se institucioni i presidentit do të marrë një vendim të drejtë.”