AKTUALITET, 2 Korrik 2019, 13:53

Strazimiri nxjerr emrat: Kush e mban Ramën në pushtet

Strazimiri nxjerr emrat: Kush e mban Ramën në pushtet


Ish-deputeti i PD-së, Gent Strazimiri doli sot në një konferencë për shtyp nga selia blu, aty ku dënoi deklaratat e bëra nga kryeministri Rama në krah të Policisë së Shtetit.

Sipas tij, Ramës nuk i intereson vota e qytetarëve dhe sot tregoi se rri në pushtet falë mjetit të tij të presionit, duke iu referuar kështu policisë.

Strazimiri shkoi më tej dhe përmendi me emra shefat e policisë që sipas tij “ju kanë siguruar mbrojtje kriminelëve që më pas t’i përdornin për të vjelë vota”.

DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE, GENT STRAZIMIRI:

Kryeministri më i refuzuar në historinë e pluralizmit shqiptar sfidoi sot 85 përqind të shqiptarëve, duke treguar se atij i mjaftojnë mjetet e represionit për të qëndruar në pushtet dhe jo vota e tyre.

Në funksion të këtij mesazhi kriminal, kreu i bandës 339-184, u shfaq në krah të skuadroneve të vjedhjes së votës dhe represionit ndaj opozitës.

Ata janë të njëjtët që, për llogari të kreut të bandës, kanabizuan vendin, të njëjtët që u siguruan garanci dhe mbrojtje trafikantëve të drogës, e që në këmbim, veç parave, u kërkuan vota për PARTINE, të marra përmes kërcënimeve, presioneve, shantazheve dhe parave të ndyra të trafiqeve.

Banditët me uniformë që i kemi parë të mbysin qytetarët me gaz në rrugë e në shtëpi, të rrahin pa mëshirë opozitarë e gazetarë, të burgosin pa prova kundërshtarë politikë vetëm pse refuzojnë sundimin e bandës, janë po ata që në 2 korrik të ’90, u përpoqën të mbanin në këmbë perden e hekurt, që po shkërmoqej në mes të Tiranës.

Mjeti i represionit të Edi Ramës kundër 85 % të shqiptarëve janë kuadrot e dalë nga Shkolla e Sigurimit të diktaturës komuniste.

1. Gjovalin Loka (Shkolla e Sigurimit)

2. Niko Brahimaj (Shkolla e Sigurimit)

3. Artan Bajraktari (Shkolla e Sigurimit)

4. Rebani Jaupi (Shkolla e Sigurimit)

5. Xhevahir Çeloaliaj (Shkolla e Sigurimit)

6. Hasan Ahmetaj

7. Skender Kalemi (Shkolla e Sigurimit)

8. Edomnd Tarkaj (Shkolla e Sigurimit)

9. Albert Dervishi (Shkolla e Sigurimit)

10. Neritan Nallbati

11. Sali Skura (Shkolla e Sigurimit)

12. Arben Keshi (Shkolla e Sigurimit)

13. Robert Aga

14. Boge Bodini (Shkolla e Sigurimit)

15. Sokol Çela

16. Ilir Musta (Shkolla e Sigurimit)

Janë po ata që “perden e hekurt” e donin në këmbë e të paprekur, si monument të anti-amerikanizmit dhe dëshmi të stalinizmit të vetëm në glob.

Janë të gjithë emra dhe “njohje të vjetra”, në dokumentet e raportet e OSBE/ODIHR, të Këshillit të Europës dhe çdokujt tjetër që ka vëzhguar zgjedhje në Shqipëri si persona kyçë për dhunë e manipulim në zgjedhje, sa here në pushtet është partia e Enver Hoxhës dhe Sigurimit.

Shembujt më elokuent të garantimit të mënyrës së rregullt e të qetë të këtyre zgjedhjeve janë, gjithashtu,

- Pjerin Ndreu (që sot po i shërben farsës si kandidat)

– Gazmend Demrozi, shefi aktual i komisariatit të Dibrës, i cili vazhdon represionin ndaj opozitarëve.

Ky është i njëjti shef komisariatit në Kavajë në 2001, rrahësi i pashpirt i komisionerit të PD në Qerret, shpina e nxirë e të cilit bëri xhiron e botës.

Ka ardhur dita që të marrin përgjigjen që po kërkojnë tash 29 vjet, bashkë me kryebanditin që i ka ndërsyer sërish për t’i ulur kokën 85 përqind të shqiptarëve, që refuzojnë sundimin e tij!