SPORT, 16 Shkurt 2026, 12:05

Zgjedhjet/ Duka merr të gjitha votat pro, 48 delegatë i japin mandatin e shtatë në krye të Federatës Shqiptare të Futbollit! 'Garoi' i vetëm

Zgjedhjet/ Duka merr të gjitha votat pro, 48 delegatë i japin mandatin

Me 48 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Armand Duka është zgjedhur për herë të shtatë radhazi si presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit.

Asambleja e Përgjithshme Zgjedhore e FSHF po mbahet sot (e hënë, 16 shkurt) në orën 10:00 në ”Shtëpinë e Futbollit”, Tiranë. Në këtë Asamble do të zgjidhet presidenti i FSHF për një mandat katër vjeçar dhe 10 anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së.  Për postin e presidentit të FSHF, është regjistruar vetëm kandidatura e Armand Dukës, i propozuar nga 33 anëtarë të federatës. Duka është në krye të FSHF-së prej vitit 2002 dhe do zyrtarizohet për mandatin e shtatë.

Sakaq, sipas asaj që ka konstatuar Komisioni i Verifikimit, për anëtarë të Komitetit Ekzekutiv të FSHF janë propozuar 13 emra kandidatësh: Abdyl Kuriu, Anila Basha, Arben Dervishaj, Armando Cungu, Blendi Fevziu, Edmond Hasanbelli, Envi Hicka, Erind Resuli, Ervin Canollari, Geri Çipi, Gjergji Petro, Lutfi Nuriu dhe Pano Xhixho.

Po ashtu, në Asamblenë e nesërme do të shqyrtohet raporti i veprimtarisë së FSHF-së mes dy asambleve, do të prezantohet bilanci financiar dhe pasqyrat financiare, raporti i auditorëve të pavarur dhe të jashtëm, miratimi i pasqyrave financiare të audituara për vitin 2025, miratimin e buxhetit për vitin 2026 dhe 2027, emërimin e audituesve të pavarur dhe të jashtëm me propozim të Komitetit Ekzekutiv.

Ne fjalen e tij, Presidenti Duka theksoi rëndësinë e miratimit të Ligjit të Sponsorizimit, rritjen e pranisë së tifozëve në stadiume, si dhe nevojën për mbështetje më të madhe institucionale për infrastrukturën sportive, duke e konsideruar sportin prioritet publik.

Në të njëjtën kohë, presidenti evidentoi progresin e ekipeve kombëtare, zgjerimin e përfaqësimit ndërkombëtar të Shqipërisë në strukturat e UEFA dhe FIFA, si dhe organizimin me sukses të eventeve madhore europiane, që kanë rritur imazhin e vendit në arenën sportive.

Duka foli edhe për financat, duke shtuar se sipas tij FSHF-ja është ndër të vetmet federata në Evropë që mbulon me financat e saj gjithë aktivitetin.

"Kampionatet tona kanë ndryshuar ndjeshëm. Sot ato janë shumë më të shumtë në numër e të shtrira në të gjithë territorin e Shqipërisë, si në nivel kombëtar, ashtu edhe rajonal.

Ne mund të jemi e vetmja federatë në Europë, që jo vetëm organizojmë të gjithë garat profesioniste e amatore, kombëtare e rajonale, por edhe mbulojmë të gjitha kostot për organizimin e tyre,  për arbitra, delegatë, vëzhgues, zyrtarë ndeshjesh,  tashmë edhe për teknologjinë VAR, që është një kosto shumë e shtuar për FSHF Por jo vetëm këto, ne mbështesin edhe me bazë materiale, duke financuar 100% të topave të futbollit në të gjitha nivelet e garave dhe 95 % të uniformave të lojës dhe stërvitore për të gjithë futbollistët e futbollistet që luajnë në vendin tonë.

Çdo javë, në Shqipëri zhvillohen qindra ndeshje kombëtare e rajonale për djem dhe vajza duke arritur edhe mbi 600 në periudha piku. Sot, në sistemin tonë janë të regjistruar 27.866 persona – lojtarë, trajnerë, arbitra dhe vëzhgues. Dhe kemi më shumë futbollistë se kurrë më parë, 24.183", tha Duka mes të tjerash.